Tetë të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, gjashtë prej tyre u infektuan në vend

Deri më 27 korrik 2026, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar tetë raste të etheve të Nilit Perëndimor, thuhet në raportin më të ri të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Nga rastet e regjistruara, shtatë janë të konfirmuara, ndërsa një rast konsiderohet i mundshëm, transmeton Portalb.mk.

“Janë regjistruar gjashtë raste autoktone nga Shkupi dhe Velesi, si dhe një rast nga Shkupi me histori udhëtimi në Greqi, por periudha e inkubacionit përfshin edhe qëndrimin në Maqedoninë e Veriut. Nga gjithsej tetë rastet e regjistruara, shtatë janë meshkuj dhe një është femër. Sa i përket shpërndarjes sipas moshës, shumica janë persona mbi 60 vjeç – gjashtë raste, ndërsa dy janë të moshës 50–59 vjeç. Të gjitha rastet e regjistruara në vitin 2026 janë te persona me infeksion neuroinvaziv dhe të gjithë kanë qenë të hospitalizuar. Fillimi i simptomave te shumica e të sëmurëve – pesë raste – është regjistruar në muajin korrik. Në dy raste simptomat kanë filluar në qershor, ndërsa në një rast në maj”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Sipas të dhënave më të fundit për ethet e Nilit Perëndimor nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që nga fillimi i sezonit të transmetimit në vitin 2026 e deri më 22 korrik, janë identifikuar 35 rajone të prekura nga virusi në gjashtë vende të Evropës.

Këto rajone ndodhen në Itali (20), Greqi (6), Rumani (4), Maqedoni të Veriut (2), Spanjë (2), Francë (1).

Këto gjashtë vende kanë raportuar gjithsej 81 raste autoktone (të sëmurë në vend) të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor. Italia ka raportuar 46 raste, Greqia 21, Maqedonia e Veriut 5 raste (deri më 22 korrik, ndërsa tani gjithsej 8), Rumania 5, Spanja 3 dhe Franca 1 rast.

Gjatë këtij sezoni, rasti i parë i regjistruar te njerëzit në Rajonin Evropian është raportuar në Maqedoninë e Veriut.

Ethet e Nilit Perëndimor janë regjistruar për herë të parë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2011. Nga viti 2011 deri në fund të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 54 raste të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar pesë vdekje të lidhura me këtë sëmundje.

Virusi i etheve të Nilit Perëndimor është një arbovirus që i përket gjinisë Flavivirus, i zbuluar në vitin 1937 në Ugandë. Prania e tij është dokumentuar pothuajse në të gjitha kontinentet – në Afrikë, Amerikë, Azi, Australi, Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Ethet e Nilit Perëndimor janë një sëmundje virale që transmetohet nga vektorët dhe shkaktohet nga virusi West Nile (WNV). Virusi qarkullon në një cikël natyror midis mushkonjave (kryesisht të gjinive Culex dhe Aedes) dhe zogjve, sidomos atyre të egër. Njerëzit dhe kuajt janë nikoqirë aksidentalë dhe fundorë të sëmundjes. Infeksioni transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Sëmundja zakonisht nuk transmetohet nga njeriu te njeriu, përveç rasteve të rralla përmes transfuzionit të gjakut ose transplantimit të organeve.

Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë.

Rreth 80 përqind e infeksioneve te njerëzit kalojnë pa simptoma. 20 përqind e rasteve simptomatike zakonisht shfaqen me temperaturë, e cila kalon vetvetiu, ndërsa më pak se 1 përqind e infeksioneve zhvillohen në forma të rënda, me gjendje serioze klinike dhe potencialisht fatale, si encefaliti (pezmatimi i trurit), meningjiti (pezmatimi i cipave të trurit) ose paraliza.

Nuk ekziston terapi specifike për këtë sëmundje. Trajtimi është kryesisht simptomatik. Kujdesi intensiv mjekësor rrit mundësinë e mbijetesës te pacientët me forma të rënda. Në rastet e rënda, shkalla e vdekshmërisë varion nga 3 deri në 15 përqind, duke qenë më e lartë te personat e moshuar.

Shërimi nga format e rënda është i gjatë dhe shpesh shoqërohet me lodhje të vazhdueshme, dobësi muskulore, vështirësi në ecje, humbje të kujtesës, depresion dhe pasoja të tjera.

Aktualisht nuk ekziston vaksinë për njerëzit.

Mënyra më e mirë e parandalimit është shmangia e pickimit nga mushkonjat, të cilat janë bartëset e virusit.

Mbikëqyrja sezonale e kësaj sëmundjeje në Evropë zhvillohet nga muaji qershor deri në nëntor, gjatë periudhës kur mushkonjat janë më aktive.

“Duke pasur parasysh të gjitha të dhënat e mësipërme, ekziston mundësia që në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut të raportohen raste të reja. Rreziku për popullatën gjatë periudhës së aktivitetit të mushkonjave është mesatar, por mund të minimizohet nëse respektohen rekomandimet parandaluese të institucioneve kompetente”, thuhet në raportin e ISHP-së.