RMV, një pjesë e shërbimeve bankare do të jenë të paqasshme deri të hënën

Sot dhe nesër, më 7 dhe 8 nëntor, priten ndërprerje dhe kufizime të përkohshme në një pjesë të shërbimeve bankare, për shkak të përshtatjeve teknike që po realizohen nga bankat. Arsyeja është vendosja e standardeve të reja në qarkullimin pagesor në denarë, të cilat fillojnë të zbatohen nga e hëna, më 9 nëntor, njofton Asociacioni Bankar i Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Kufizimet kryesisht kanë të bëjnë me transaksionet e pagesave, ndërsa secila bankë veçmas publikon oraret e sakta dhe shërbimet që do të preken. Kufizimi do të vlejë edhe nesër, deri në rivendosjen e sistemit të hënën. Ndërkaq, kartelat e pagesave do të mbeten plotësisht funksionale. Klientët do të mund të paguajnë pa pengesa në terminalet POS, si dhe të tërheqin apo të depozitojnë para të gatshme në bankomate.

Nga e hëna fillon zbatimi i urdhërpagesave të reja, kodeve për qëllimin e pagesës dhe përdorimi i llogarive të pagesave në formatin IBAN. Numrat ekzistues të llogarive bankare mbeten të pandryshuar, ndërsa bankat do ta përshtatin automatikisht mënyrën e paraqitjes së tyre në shërbimet bankare elektronike dhe mobile.

Nga Asociacioni Bankar i Maqedonisë theksojnë se bëhet fjalë për aktivitete teknike të planifikuara paraprakisht, të cilat janë pjesë e procesit të modernizimit të qarkullimit pagesor kombëtar. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që pagesat e planifikuara t’i kryejnë me kohë.