Kështu duket sulmi i orkestruar i ‘botsave’ ndaj mediave në RMV

Një nga mediat më profesionale në Maqedoninë e Veriut, Slloboden Peçat, e cila përveç se ende shtyp dhe shet një gazetë të përditshme, mund të thuhet me siguri se qëndron si njëra prej mediave më të lexuara online, si dhe profileve më të ndjekura në Instagram në vend me pothuajse 70.000 ndjekës. Por, për fat të keq javën e fundit profili i tyre është bllokuar. Ndërsa kjo do të thotë se nuk mund të shihet publikisht, përveç se nëse e ndiqni, transmeton Portalb.mk.

Kjo nuk është me zgjedhje të redaktorëve ose atyre që drejtojnë profilin, por sepse ata janë të detyruar ta bëjnë këtë. Konkretisht, për më shumë se një javë Slloboden Peçat është cak i një sulmi të koordinuar të boteve në Instagram. Sulmi është jashtëzakonisht i sofistikuar, jo i thjeshtë, përfshin shtresa të shumëfishta dhe ndryshon me kalimin e kohës. Qëllimi, siç thonë nga kjo media për Meta.mk, është t’i bëjë ato më pak të dukshëm, me çka sulmuesit do të shkaktonin një të ashtuquajtur “shadow ban”.

Censurë në hije

Nga redaksia shpjegojnë se kjo në fakt do të thotë një “sanksion” i padukshëm nga Meta (Facebook dhe Instagram) për shkak të të cilit të gjitha ndërveprimet dhe shtrirja e profilit janë të kufizuara. Ata thonë se kjo ndodh për shkak të një rritjeje të papritur të aktivitetit në llogarinë e tyre në Instagram nga profile të dyshimta. Kjo do të thotë që papritmas shumë njerëz thjesht nuk mund t’i shohin më postimet tuaja.

“Në raste të këtilla profili nuk bllokohet zyrtarisht, por dukshmëria e tij është dukshëm e kufizuar, ndërsa përdoruesi nuk merr kurrfarë njoftimi. Edhe pse profili mund të publikojë dhe komunikojë normalisht, postimet ndalojnë së shfaquri në “feed”, ato nuk shfaqen në faqen “explore” dhe ndjekësit e rinj e kanë më të vështirë ta gjejnë profilin, gjë që çon në një rënie të ndjeshme të shikimeve dhe ndërveprimeve”, thonë nga redaksia e Slloboden Peçat.

Siç shpjegojnë më tej, ky fenomen ndodh shpesh kur platformat regjistrojnë automatikisht një numër të madh aktivitetesh të caktuara të pazakonta në një periudhë të shkurtër kohore. Në rastin e Slloboden Peçat në fillim bëhej fjalë për komente të shumta nga profile të dyshimta në Instagram, të cilat sistemet e Meta-s i interpretojnë si abuzim të mundshëm. Pastaj sulmi është transformuar në diçka tjetër, që do të thotë se i gjithë veprimi ka qenë i koordinuar dhe i menduar mirë me një qëllim të qartë për ta heshtur Slloboden Peçat-in në Instagram.

Një ushtri e bot-eve thonë Like

Sulmi ka filluar më 6 nëntor rreth mesditës. Aktiviteti fillestar i sulmuesve ka qenë të linin qindra komente nga profile të dyshimta të ashtuquajtura bot-e nën postimet e tyre. Të gjitha komentet kanë qenë identike dhe kanë përmbajtur vetëm fjalën “Like”. Siç theksojnë nga Slloboden Peçat, disa ditë më parë ata kanë vënë re se ka pasur profile të tjera të dyshimta që kanë komentuar përmbajtjen e tyre.

Emrat e përdoruesit të të gjitha këtyre profileve që kanë komentuar në një numër të madh rastesh janë gjenerikë, tingëllojnë të pazakontë dhe përmbajnë numra jologjikë. Këto karakteristika nënkuptojnë se ky është një aktivitet i automatizuar, ose më saktë, këta nuk janë njerëz të vërtetë, por përdoret softuer për të lënë komente.

Derisa ka zgjatur sulmi lexuesit kanë filluar të vinë re se diçka e çuditshme po ndodhte sepse në postime janë shfaqur me qindra komente, por vetëm disa kanë qenë të dukshme. Një nga ndjekësit madje ka pyetur: “A po teston dikush bot-e në komente?” Pas disa orësh detektimi dhe analize ekipi editorial ka arritur në përfundimin se bëhet fjalë për një veprim të koordinuar, ose më saktë një sulm ndaj profilit të tyre. Komentet nuk kanë pasur të bëjnë fare me temën e postimit në profilin e Instagram-it. Ato janë postuar pas çdo postimi, pavarësisht përmbajtjes.

“Postimet ishin mbi tema të ndryshme, gjegjësisht kështu e kuptuam në fakt se ishte një sulm i koordinuar bot-esh, sepse ato u bënë më të shpeshta dhe filluan të shfaqeshin në çdo postim pasues”, thonë nga “Slloboden Peçat“.

Edhe pse redaksia aktualisht nuk ka informacion konkret se kush qëndron pas sulmeve, ata besojnë se qëllimi është që ta zvogëlojnë besimin tek kjo media dhe dukshmërinë e saj në hapësirën publike.

“Në këtë moment nuk kemi informacion të saktë, por qëllimi është i qartë: të zvogëlohet dukshmëria e Slloboden Peçat dhe të minohet besimi te kjo media”, shtojnë nga redaksia.

Rasti tashmë është denoncuar në Njësinë e krimit kibernetik të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndihmë nga publiku

Por kjo nuk e ka ndaluar sulmin. Në atë moment sulmi hyn në fazën tjetër, gjegjësisht bot-et bëjnë një numër masiv dhe të papritur pëlqimesh në postimet e Slloboden Peçat në Instagram. Dhe, ata që merren profesionalisht me Instagramin e dinë se ato nuk mund të kontrollohen dhe as të fshihen, siç mund të bëhet me komentet. E vetmja zgjidhje është ta “mbyllësh” profilin. Kjo do të thotë që nëse dikush dëshiron t’ju ndjekë, duhet të marrë miratimin tuaj për një gjë të tillë.

Për të mbrojtur veten nga sulmi nga Slloboden Peçat thonë se ka qenë e nevojshme që për herë të parë ta mbyllin profilin e tyre zyrtar në Instagram.

“Për herë të parë në gjithë këto vite profili kryesor i Slloboden Peçat është mbyllur. Kjo na e bën punën disi më të lehtë, por është larg të qenit një zgjidhje ideale, sepse tani kemi një shtrirje të kufizuar vetëm te njerëzit që na ndjekin, kështu që postimet tona nuk mund të ndahen në “stories”, ndërsa në ofertat për miqësi kemi mbi 999 oferta nga profile të dyshimta, sepse sulmi i bot-eve nuk ka mbaruar, thjesht është “minuar”, pra ne vetëm ua kemi kyçur derën”, thonë nga Slloboden Peçat.

Edhe pse kjo masë e stabilizon përkohësisht situatën media mbetet e kufizuar në komunikimin e saj me publikun më të gjerë.

Në një përpjekje për t’i kapërcyer kufizimet e shkaktuara nga “shadow ban”-i redaksia e Slloboden Peçat vendosi ta informojë publikun e saj në mënyrë transparente dhe t’i përfshijë ata në zgjidhje. Ata u bënë thirrje lexuesve të ndihmojnë me shpërndarjen e një postimi konkret, dhe kjo dha rezultat. Ata thonë se edhe pse bot-et e kanë ngadalësuar përkohësisht algoritmin, me ndihmën e lexuesve zëri i medias u përforcua.

“Ajo që supozohej të ishte një sulm u shndërrua në provë se pas Slloboden Peçat qëndron një komunitet që beson në të vërtetën, lirinë dhe gazetarinë e pavarur. Kështu, u përballëm me “guerilen”, por çfarë ndodh me mediat që kanë lexues besnikë por jo një ndikim kaq të fortë në rrjetet sociale? Si do të përballeshin ata me sulme të tilla keqdashëse?”, pyesin nga Slloboden Peçat.

Bot-et si një makinë e re propagande

Bozhidar Spirovski, ekspert i sigurisë kibernetike dhe themelues i platformës BeyondMachines, thotë se mbrojtja kundër bot-eve në rrjetet sociale sot është pothuajse e pamundur për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë dhe disponueshmërisë së lehtë të shërbimeve për krijimin e tyre.

“Është pothuajse e pamundur të mbrohesh nga bot-et. Ky është një shërbim me pagesë, në botë ka pa numër të tillë. Algoritmi krijon një shadowban duke menduar se pronari po vetëpromovohet përmes bot-eve dhe kjo është arsyeja se pse dikush mund ta abuzojë lehtësisht atë”, thotë Spirovski, duke shtuar se pyetja thelbësore është pse sulmi po ndodh pikërisht në atë moment.

“Pyetja kryesore është pse po ndodh kjo? Do të pyesja veten se cili postim ishte subjekt i sulmit? Pse atëherë? A ka pasur ndonjë postim që ka qenë i dhimbshëm për dikë?”, pyet Spirovski.

Sipas asaj që mund të shihet nga postimet tani të disponueshme nga 6 nëntori në profilin e Slloboden Peçat, komentet fillestare nga bot-et janë lënë në një postim në lidhje me takimin midis kryetarit të ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe kryetares së vjetër, Danella Arsovska.

Spirovski thekson se profili Slloboden Peçat ka “shtrirje” të mjaftueshme për të fituar mbështetje nga komuniteti, por praktikisht nuk ekziston zgjidhje teknike nga ana e tyre, gjithçka varet nga vetë platforma.

“Nuk ka asnjë mënyrë teknike që një profil të mund të luftojë me bot-et. Kjo mbetet në duart e rrjetit social. Por pyetja është nëse platforma dëshiron të bëjë diçka në lidhje me këtë”, thotë Spirovski.

Siç shpjegon ai, bot-et krijohen më shpesh për të gjeneruar të ardhura, për të promovuar përmbajtje të caktuar ose për të shuar përmbajtje të caktuar.

“Bot-et janë bërë për ta automatizuar qëllimin e personit që i shet. Ato janë bërë për të fituar para, për të promovuar një uebfaqe ose, në këtë rast, për ta shuar një përmbajtje. Këto janë mekanizmat më themelorë. Por bot-et mund të jenë shumë kompleksë, ata mund të postojnë përmbajtje të vërtetë, të postojnë përmbajtje të ndërtuar me një qëllim specifik, të flasin me njëri-tjetrin dhe të krijojnë iluzionin se një temë është interesante, që tashmë është një propagandë e fuqishme”, thekson eksperti i sigurisë kibernetike.