Këshilli për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe Shoqërisë Civile sot mbajti seancën konstituive
Këshilli për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile sot ka mbajtur seancën konstituive, në të cilën fjalë përshëndetëse kanë mbajtur Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, transmeton Portalb.mk.
Sekretari i Përgjithshëm theksoi përkushtimin e Qeverisë për të ndërtuar marrëdhënie me organizatat e shoqërisë civile bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes dhe planifikimit pjesëmarrës, sigurisë dhe përgjegjësisë, hapjes dhe transparencës, si instrumente të nevojshme për ndërtimin e barazisë para ligjit dhe përgjegjësisë së vendimmarrësve.
“Në bashkëpunim dhe partneritetet me organizatat e shoqërisë civile, me punë efikase dhe transparente në seancat e Këshillit, së bashku do ta ndërtojmë shtetin si një demokraci të begatë, të drejtë dhe dinamike”, tha Janushev.
Ndërkohë, në fjalimin e tij para anëtarëve të Këshillit, Zëvendëskryeministri Fetai theksoi rolin thelbësor të sektorit civil si mbrojtës i demokracisë dhe si partner konstruktiv në krijimin e politikave më të mira publike.
“Organizatat e shoqërisë civile nuk janë dekor i demokracisë, por mbikëqyrës aktiv i saj – zëri që ngre alarmin kur shfaqen fenomene si korrupsioni dhe padrejtësia”, theksoi Fetai.
Ai shtoi se Qeveria ka për detyrë jo vetëm të dëgjojë, por edhe të veprojë.
“Demokracia është një proces i vazhdueshëm i vetëkorrigjimit. Roli juaj është thelbësor në këtë proces, ndërsa detyra jonë është ta mbështesim atë pjesëmarrje,” tha ai.
Duke u ndalur te sfidat me të cilat përballet sektori civil, Fetai përmendi qasjen e kufizuar në fonde, mungesën e mbështetjes institucionale dhe kornizën ligjore jo mjaftueshëm funksionale.
Qeveria krijoi Këshillin për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile për të institucionalizuar dialogun dhe për të siguruar që organizatat e shoqërisë civile mund të monitorojnë zbatimin e Strategjisë së Qeverisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Shoqërisë Civile, të monitorojnë dhe analizojnë politikat publike që ndikojnë në mjedisin në të cilin zhvillohet shoqëria civile dhe të inicojnë miratimin e rregulloreve të reja ose ndryshimin e rregulloreve ekzistuese për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional të organizatave.
Në seancën, e cila është e para pas emërimit të përbërjes së re, nga radhët e anëtarëve të organizatave për kryetare të Këshillit u zgjodh Nikica Kusinikova nga Shoqata Konekt Shkup, ndërsa nga radhët e anëtarëve të organeve të administratës shtetërore për zëvendëskryetare të Këshillit u zgjodh Bojana Bosilkova nga Ministria e Drejtësisë.