Këshilli Gjyqësor i RMV-së e shkarkoi kryetarin e Gjykatës së Gostivarit pas hetimit për ndikim të paligjshëm
Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, në seancën e tij të 545-të urgjente të mbajtur më 15 maj 2026, ka marrë vendim për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit dhe ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Gostivar, transmeton Portalb.mk.
Në të njëjtën seancë, për ushtrues detyre të kryetarit të Gjykatës Themelore Gostivar është emëruar gjyqtari Mirosllav Petroski.
Ky vendim vjen pas zhvillimeve të fundit penale, ku Prokuroria Publike ka lëshuar urdhër për hapjen e hetimit ndaj dy personave të dyshuar për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se gjatë periudhës 2023–2025 kanë kërkuar dhe marrë mjete monetare me qëllim ushtrimin e ndikimit te gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Gostivarit dhe Gjykatës së Apelit, për vendime në një procedurë civile.
Në kuadër të këtij rasti, një nga të dyshuarit dyshohet se ka vepruar në cilësinë e ushtruesit të detyrës në gjykatë, çka ka çuar në reagimin institucional dhe vendimin e Këshillit Gjyqësor për shkarkimin e tij nga funksioni.