Të rinjtë duhet të dinë si të “lundrojnë” në internet: Metamorfozis dhe Gjimnazi amerikan nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi

Aleksandra Kiraca, drejtoreshë e përkohshme e Gjimnazit Amerikan në Shkup, dhe Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, sot nënshkruan Memorandum bashkëpunimi me qëllim avancimin e edukimit digjital, sigurisë kibernetike dhe përdorimit të sigurt të internetit tek të rinjtë, transmeton Portalb.mk.

Me këtë memorandum parashihet realizimi i punëtorive edukative dhe trajnimeve për nxënësit, të fokusuara në njohjen dhe parandalimin e rreziqeve online, zhvillimin e sjelljes së përgjegjshme digjitale dhe forcimin e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe identitetit digjital.

“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë të mësojnë si ta përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme dhe të sigurt, ndërsa shkollat kanë rol kyç në edukimin dhe ngritjen e vetëdijes për këtë çështje”, theksoi Jashari gjatë nënshkrimit të memorandumit.

Në kuadër të aktiviteteve të deritanishme, nxënësit e Gjimnazit amerikan në Shkup kanë ndjekur tashmë trajnime, ndërsa interesi dhe përfshirja e tyre kanë qenë në nivel të lartë. Ajo që vlerësohet veçanërisht është se tek nxënësit, përmes këtyre trajnimeve, po krijohet vetëdije dhe nevojë për edukim shtesë, duke marrë parasysh se disa prej tyre tashmë janë përballur me situata të padëshiruara online.

Të dy palët theksojnë se ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më të sigurt digjital për të rinjtë dhe hap mundësi për aktivitete të reja të përbashkëta dhe programe edukative në të ardhmen.