Këshillat e komunës së Bosilovës dhe Vasilevës kundërshtojnë njëzëri minierat Ilovica – Shtuka

Pas lëvizjes së Këshillit të Komunës së Novosellës, i cili javën e kaluar njëzëri mori vendim kundër hapjes së minierave në Ilovica dhe Shtukë, dy komuna të tjera nga mikrorajoni i Strumicës morën vendime kundër hapjes së minierave të bakrit dhe arit, transmeton Meta.mk.

Kundër hapjes së minierave sot votoi edhe Këshilli i Komunës së Bosilovës, pas seancës së shtyrë që ishte paraparë të mbahej pas bashkimit të dy koncesioneve nga Qeveria për minierën “Ilovica-Stuka” dhe pas protestës së madhe qytetare që u mbajt në Strumicë.

Në postimin në profilin e facebook-ut të këshilltarit nga “Mjaft më”, Stojan Velkov-Trn thotë se më në fund Këshilli i Komunës së Bosilovës njëzëri doli kundër minierave.

“Ky qëndrim deklarativ duhet t’i tregojë pushtetit qendror se nëse rastësisht vendosin të guxojnë të shkelin rregullat ligjore dhe tentojnë të hapin minierë këtu, do të përballen si me banorët ashtu edhe me komunat e këtij territori”, thuhet në postimin e tij.

Të njëjtin vendim ka marrë të premten edhe Këshilli i Komunës së Vasilevës, me ç’rast këshilltarët njëzëri janë deklaruar kundër hapjes së minierës së bakrit dhe arit “Ilovica – Shtuka”.

“Ne po luftojmë së bashku me qytetarët, kundër vendimeve që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve!”, thuhet në njoftimin e komunës së Vasilevës.

Kundër hapjes së këtyre minierave të arit dhe bakrit në malin Ograzhden, në Strumicë gjatë periudhës së kaluar kanë protestuar mijëra qytetarë nga mbarë vendi.

Ambientalistët njoftuan se lufta kundër minierave vazhdon deri në fund dhe thanë se “Nuk do të ketë minierë”.