KEMM kërkoi distancim dhe gjithëpërfshirje gazetareske, në vend të sensacionalizmit rreth protestave për “Qytetin e Sigurt”

Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë (KEMM) ka reaguar mbi mënyrën e raportimit nga ana e mediave pas protestave nga një komunitet i caktuar, të cilët kërkonin që t’u lejohej të vozisnin pa patentë. Nga Këshilli theksojnë se gazetarët duhet të raportojnë me përgjegjësi, duke ofruar kontekst më të gjerë dhe duke shmangur sensacionalizmin, përgjithësimet dhe stigmatizimin. Sipas tyre, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes kritikës ndaj kërkesave të paligjshme dhe dënimit kolektiv të komuniteteve. KEMM nënvizon se titujt, gjuha dhe materialet vizuale duhet të zgjidhen me kujdes për të mos nxitur polarizim dhe gjuhë urrejtjeje, duke e mbajtur debatin publik të fokusuar te interesi publik dhe zgjidhjet, transmeton Portalb.mk.

“Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë (KEMM) thekson rëndësinë e raportimit të përgjegjshëm mbi ngjarje të tilla si protestat që pasuan zbatimin e sistemit të kontrollit të trafikut “Qytet i Sigurt”. Kur media raporton mbi protesta ose incidente që lidhen me komunitetet e margjinalizuara, veçanërisht kur bëhen kërkesa që janë në kundërshtim me ligjin ose mund të kërcënojnë sigurinë publike, është e rëndësishme të mbulohet panorama më e gjerë, në vend që të raportohet vetëm për ngjarjen. Përmbajtja në raportim është një imperativ moral, por nuk mjafton: gazetarët dhe redaktorët kanë detyrimin të deklarojnë qartë se çfarë është e papranueshme, por edhe të jenë të kujdesshëm që të mos e shndërrojnë këtë në dënim kolektiv ose stigmatizim”, thonë nga KEMM.

Në të njëjtën kohë, KEMM thekson se largimi nga përmbajtja përmes qasjeve sensacionaliste, narrativave të thjeshtuara ose theksimit të shënjuesve të identitetit rrit më tej rrezikun e polarizimit dhe gjuhës së urrejtjes.

“Prandaj është e rëndësishme të zgjidhni me kujdes titujt, formulimet dhe materialet vizuale, veçanërisht për temat që dihen paraprakisht se ka të ngjarë të provokojnë reagime të forta dhe polarizuese. Sensacionalizmi dhe përgjithësimet, edhe kur janë të paqëllimshme, ndryshojnë mënyrën se si tema lexohet dhe komentohet në publik dhe legjitimojnë stigmatizimin. Qëllimi nuk është të relativizohen ligjet ose të justifikohen kërkesat kontraverse, por të mbahet debati publik i përqendruar te zgjidhjet, llogaridhënia dhe interesi publik, në vend që të thellohen përçarjet”, thonë nga KEMM.

Kujtojmë se protestat nga grupe qytetarësh disa ditë më parë erdhën si reagim ndaj ndryshimeve në Ligjin për Kundërvajtjet që u miratuan në mënyrë që sistemi “Qytet i Sigurt” të mund të funksiononte.

Disa nga demonstruesit pretenduan se ishin diskriminuar sepse nuk kishin arsimimin e duhur për të aplikuar dhe për të dhënë provimin për patentë shoferi.