Kundërspin: Dëmi për KSHPK-në nga rasti Dimitrovska është i barabartë me dëmin për PSP-në nga rasti Janeva
Çdo njeri është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, por disa njerëz duan të jenë pak më shumë të pafajshëm sesa të tjerët. Përafërsisht kështu mund të përshkruhet gjendja në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, që reflektohet në njoftimin e datës 28.04.2025. Rasti i kryetares së dyshuar të këtij institucioni, edhe pa marrë parasysh nëse do të konfirmohet me aktakuzë dhe gjykim, tashmë i ka shkaktuar dëm KShPK-së, ashtu siç rasti me Katica Janeva i shkaktoi dëm Prokurorisë Speciale dhe gjithë luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Teofil Blazhevski
Në njoftimin e lëshuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në lidhje me kryetaren e dyshuar Tatjana Dimitrovska, mund të gjenden pjesë ku ka spinetë (manipulim të së vërtetës):
Spin:Duke i ndjekur zhvillimet e fundit, Komisioni Shtetëror dëshiron ta sigurojë opinionin publik, partnerët dhe komunitetin ndërkombëtar se institucioni mbetet plotësisht i përkushtuar në respektimin e parimeve të integritetit, transparencës dhe sundimit të ligjit.
Komisioni Shtetëror si institucion vazhdon të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efikase, në përputhje me kompetencat ligjore dhe mandatin e vet.
Komisioni Shtetëror vazhdon t’i zbatojë aktivitetet dhe detyrimet e tij të rregullta, dhe misioni për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbetet i pandryshuar dhe më i fuqishëm se kurrë.
Komisioni Shtetëror siguron se procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë individuale nuk e cenojnë përkushtimin institucional dhe kolektiv.
Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerën e besimit të publikut. Prandaj, do të vazhdojmë të punojmë me transparencë të lartë dhe të bashkëpunojmë me institucionet kompetente, duke siguruar respektimin e ligjeve dhe standardeve më të larta etike brenda kuadrit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
[Burimi: KSHPK– Njoftim/web; Data – 28.04.2025]
Kundërspin: Çdo njeri është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, por disa njerëz duan të jenë pak më shumë të pafajshëm sesa të tjerët. Përafërsisht kështu mund të përshkruhet situata në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), që reflektohet në njoftimin e datës 28.04.2025. Veçanërisht në pjesën ku Komisioni deklaron se vazhdon t’i realizojë aktivitetet dhe detyrimet e rregullta, “dhe misioni për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbetet i pandryshuar dhe më i fuqishëm se kurrë”, si dhe në mesazhin për përkushtimin, ku “Komisioni Shtetëror siguron se procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë individuale nuk e cenojnë përkushtimin institucional dhe kolektiv”.
Përkundrazi. Është shtrembërim i së vërtetës të thuhet se përcaktimi i përgjegjësisë penale të kryetares së KShPK-së, e cila për momentin është vetëm e dyshuar, nuk e minon përkushtimin institucional dhe kolektiv të Komisionit, dhe sidomos misionin për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.
Publiku, por edhe anëtarët e Komisionit, mund të kujtojnë vitin 2019 dhe tronditjen që përjetoi shoqëria kur ish-kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva, u arrestua nën dyshime për korrupsion dhe më vonë u dënua me vendim të formës së prerë. Edhe atëherë, në kuadër të PS-së kishte një grup prej dhjetëra prokurorësh që punonin me përkushtim në rastet që ishin trajtuar me vite, madje edhe pas shuarjes formale të institucionit në vitin 2020. Por, turpi i Katicës jo vetëm që e zbehu gjithë punën e atyre rreth njëzet rasteve që u dorëzuan në gjykata – disa prej të cilëve përfunduan me vendime të formës së prerë – por gjithashtu hodhi hije mbi gjithë përkushtimin dhe integritetin e prokurorëve dhe hetuesve që kishin punuar në PS, ndonëse një pjesë e madhe e tyre kishin bërë përpjekje mbinjerëzore për të përmbushur afatet e shkurtra të përcaktuara me ligjin special.
Edhe më shqetësuese është se rasti i Katicës, si me një gomë mbi letër të bardhë, fshiu shpresën në shoqëri se dikush – qoftë edhe me kompetenca të veçanta – mund të përballet realisht me krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend.
Ja, pikërisht një ndjenjë e tillë, më së paku, mund të “nuhatet” në shoqëri rreth vetë institucionit të KShPK-së, pas hapjes së rastit ndaj kryetares së saj. Prandaj, edhe jashtë procedurave ligjore që janë të padiskutueshme dhe që tregojnë qartë çfarë duhet bërë – pavarësisht nëse është dorëzuar apo jo dorëheqja e kryetares – të thuash se “misioni për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbetet i pandryshuar dhe më i fuqishëm se kurrë”, si dhe se hetimi për përgjegjësinë individuale “nuk e cenon përkushtimin institucional dhe kolektiv”, nuk është asgjë tjetër përveç një spin (manipulim i së vërtetës).
KShPK-ja, që u krijua me ligjin e ri në vitin 2019 dhe përbërja e re e Komisionit e përzgjedhur në mënyrë të veçantë, e cila me punën e vet e riktheu besimin dhe shpresën te qytetarët, por edhe ndikoi pozitivisht në perceptimin e RMV-së ndaj Evropës dhe botës – tani duhet t’i përshkojë sërish këto hapa nga fillimi. Dhe kjo mund të zgjasë me vite.