Katica Janeva u lirua me kusht nga burgu “Idrizovë”, dënimi i saj zgjat deri në vitin 2027
Ish-prokurorja speciale Katica Janevë, e cila u dënua me 7 vjet burg dhe që nga viti 2021 po vuante dënimin në Burgun e Idrizovës, në fillim të kësaj jave është liruar me kusht dhe ka lënë institucionin korrektues, transmeton Portalb.mk.
“E dënuara Janeva ka përfituar lirim me kusht dhe është e obliguar të paraqitet rregullisht në Gjykatën Themelore Penale Shkup deri në përfundimin e plotë të dënimit 7-vjeçar”, deklaroi për SDK.mk drejtori i burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski.
Më herët, edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, përfitoi lirim me kusht dhe doli para kohe nga burgu, ku në repartin e grave qëndronte së bashku me Katica Janevën. Jankullovska ishte nënshkruese e aktakuzës për blerjen e Mercedesit luksoz për Nikolla Gruevskin, të financuar me mjete të policisë, vepër për të cilën ajo u dënua.
Edhe ajo ishte e obliguar të paraqitej dhe të komunikojë me personat përgjegjës profesionalë në gjykatë. Ekzistojnë edhe kushte të tjera, si ndalimi për të kryer vepra penale gjatë periudhës së lirimit me kusht. Shkelja e këtyre kushteve dënohet me rikthim në burg.
Kujtojmë se, në korrik të vitit 2021, Gjykata e Apelit në Shkup ia konfirmoi Janevës dënimin me 7 vjet burg, në të cilin përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim mbi një vit.
Ajo u dënua së bashku me Bojan Jovanovskin, i cili u shpall fajtor për zhvatje të një milion eurove nga biznesmeni Orce Kamçev, me pretendimin se do të ndikonte te Janeva për t’i ofruar marrëveshje dhe për ta shmangur burgun. Janeva u dënua për marrje ryshfeti (një divan dhe gjoja disa mijëra euro), akuza që, sipas vëzhgimeve të opinionit publik, nuk u dëshmuan qartë me dëshmitarë okularë, fotografi të qarta, transaksione bankare apo prova të tjera konkrete të paraqitura në sallën e gjyqit.
Pas arrestimit të Janevës, Prokuroria Speciale Publike (PSP) u mbyll me mbështetjen e të gjitha partive parlamentare. Lënda “Perandoria”, në të cilën Kamçevi ishte fillimisht i dyshuar e më pas i akuzuar, vazhdoi dhe përfundoi me pranimin e fajësisë dhe marrëveshje, duke vuajtur më pak se një vit burg në institucionin e hapur korrektues në Strugë.
Vitin e kaluar, Janevës i ishte lejuar të punonte gjatë ditës në zyrën avokatore të djalit të saj në qendër të Shkupit dhe në mbrëmje të kthehej në Idrizovë. Megjithatë, pas ardhjes së udhëheqjes së re në Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, u krye një kontroll mbi këtë angazhim dhe u konstatuan parregullsi, pasi ajo nuk ishte e pranishme në vendin e punës, çka rezultoi me humbjen e kësaj privilegjeje.