Kasami për zgjedhjet për kryetar të Bërvenicës: Sa do të votojnë votuesit tanë për atë kandidat varet nga sjellja e BDI-së

Kryetari i Tetovës dhe njëri nga liderët e partisë politike VLEN, Bilall Kasami, sot iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse subjekti i tyre politik do t’u rekomandojë anëtarëve dhe simpatizantëve të votojnë për një kandidat të caktuar për kryetar të Komunës së Bërvenicës, transmeton Portalb.mk.

“Unë thashë se politikisht, ne si VLEN, kemi dhënë qëndrimin tonë se do ta mbështesim kandidatin e BDI-së. Por, sa do të votojnë votuesit tanë për atë kandidat varet nga sjellja e BDI-së. E shpjegova se sjellja e BDI-së nuk është në përputhje me atë që po paraqesin. Nëse duan të tregojnë se do të shkojnë në raundin e dytë dhe se do të fitojnë, qoftë ndaj VLEN-it apo VMRO-së, nuk e di nëse qytetarët do ta pranojnë këtë. Ata duhet të dalin me një program dhe me një kandidat për të gjithë qytetarët e Bërvenicës. Nëse humbin, nuk mund të jetë faji i VLEN-it”, tha Bilall Kasami.

Ai shtoi se fitorja ose humbja në zgjedhjet e së dielës është përgjegjësi e partive që kanë kandidatët e tyre, ndërsa vendimi se për kë do të votojnë në raundin e dytë u takon votuesve të Bërvenicës.

Ndërkohë, kandidati i AKI-t, Arkin Jahiji, në rrjetet sociale u shpreh se gara mes AKI-së dhe VLEN-it ka përfunduar më 18 tetor. Ai shtoi se tani janë të gjithë bashkë dhe kanë tjetër mision dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë për të.

“Unë gjithmonë kam dëshmuar dhe kam qenë promotor i unifkimit sahere qe ka qenë nevoja. Ngjyrat partiake kurrë nuk kanë pas rëndësi në Bërvenicë dhe këtë e dini të gjithë ju bashkëvendasit e mi. Andaj më 1 nëntor, dilni të gjithë, thirrni të gjithë dhe mos të mbes askush prapa, të votojmë për ndryshim, të votojmë për dinjitet”, shkroi Jahiji. 

Më 1 nëntor pritet të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ku për  të parin e Komunës do të garojnë Stojanço Radiçevski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).

Sipas rezultateve të publikuara nga KSHZ-ja, në raundin e parë Radiçevski mori 2.945 vota, ndërsa Jahiji 2.152 vota. Në vendin e tretë u rendit Jakup Huseini nga VLEN-i me 1.529 vota, ndërsa Jovica Radeski nga LSDM-ja mori 707 vota.

Kandidatët e pavarur dolën të fundit. Në vendin e pestë doli Dushan Bogdanovski, nga grupi i zgjedhësve, me 57 vota, ndërsa në vendin e gjashtë ishte kandidatja Arife Idrizi, po ashtu nga grupi i zgjedhësve, e cila fitoi 21 vota.

Zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë u mbajtën pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski.