Karnavali i Vevçanit shpallet trashëgimi kulturore me rëndësi të jashtëzakonshme

Karnavali i Vevçanit është shpallur trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, nënkategoria rëndësi të jashtëzakonshme vendosi Qeveria e RMV-së në seancën e sotme. Me këtë mundësohet ruajtje dhe afirmim i kortezhit mashkullor të Vasilicës si pjesë e riteve dimërore me maska, e cila është rujatur dhe praktikohet në formë autentike dhe integrale nga bashkësia lokale në Komunën e Vevçanit, njofton Portalb.mk.

“Sipas karakteristikave të tij, ‘Kortezhet rituale me maska ​​(karnaval) – pjesëmarrësit në karnavalin e Vasilicës në Vevçan’ shquhen për autenticitetin dhe ruajtjen e formave të maskave, valles së Vasilicës, besimeve dhe praktikave rituale”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Kulturës.

 

Nga aty shtojnë se për pjesëmarrësit në karnavalin e Vasilicës në Vevçan konfirmohet një regjim mbrojtës i shkallës së parë, me disa masa mbrojtëse.

“Përmes mbështetjes dhe nxitjes së bartësve për përpunim të maskave ​​autentike do të sigurohet qëndrueshmëria e manifestimit të lashtë, do të sigurohet transmetim i njohurive për përpunim të maskave dhe aftësive për të luajtur instrumentet muzikore tradicionale që janë pjesë e kortezhit. Është me rëndësi të veçantë që tradita e një prej karnavaleve më të vjetra në botë i përfshin brezat e rinj dhe të ruhet si trashëgimi kulturore”, thuhet në kumtesë.

Me këtë vendim sigurohet mbrojtja e përhershme e të mirës dhe kategorizimi i saj në përputhje me Ligjin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.