Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të shpenzojë 1.8 milionë denarë për Karnevalin e Vevçanit

Ministrja e Kulturës në Maqedoninë e Veriut, Bisera Kostadinovska – Stojçevska së bashku me kryetarin e Komunës së Vevçanit, Spase Koçovski, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimit përmes së cilës kësaj komune i ndahen 1.8 milionë denarë për Karnevalin e Vevçanit, transmeton Portalb.mk.

“U nënshkrua marrëveshje për financimin e manifestimit tradicional “Karnevali i Vevçanit 2024”, një nga karnevalet më të vjetra evropiane dhe i pari në shtet, anëtare e Federatës Botërore të Karnevaleve”, njoftoi Ministria.

Ministrja vlerësoi se ndihma prej 1.8 milionë denarë që i jepet këtë vit këtij manifestimi, është ndihma më e madhe që është dhënë deri më tani te Karnevali i Vevçanit.

“Edhe këtë vit vazhdon mbështetja për kulturën në Vevçani, si një komunë që është segment i rëndësishëm për kulturën tonë të pasur tradicionale maqedonase që bartet te gjeneratat e reja”, deklaroi ministrja, duke theksuar që Ministrja do të jetë partneri i kësaj komune.

Ndryshe, me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër Julian, në Komunën e Vevçanit edhe vitin e kaluar u zhvillua manifestimi tradicional “Karnavali i Vevçanit”. Karnavali i Vevçanit, i cili mbahet me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, njihet si një manifestim provokues në të cilin paraqiten maska ​​dhe personifikime të ndryshme.

Karnavali i Vevçanit konsiderohet si një prej kurioziteteve më të mëdha unike dhe kulturore në Maqedoninë e Veriut me traditë 1.400-vjeçare. Ky karnaval përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjell mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar ato. Komuna e Vevçanit dhe Karnavali i Vevçanit janë anëtare të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC).

Komuna e Vevçanit zakonisht porosit që asnjë komunitet që jeton në Maqedoninë e Veriut të mos zemërohet me veprimet dhe maskimet e karnavalit, ndërkohë apelon që të mos ketë ndarje mes qytetarëve, pa marrë parasysh fenë apo përkatësinë etnike, pasi ky karnaval e paraqet vendin si shtet multietnik.