“O kapiten! Kapiteni im” titullohet njëra prej poezive më të njohura të Walt Whitman-it, e shkruar më 1865. Poeti e paraqet gëzimin dhe zinë e njëkohshme. Populli feston triumfin e shtetit, por vajton për vdekjen e strategut, gjegjësisht Abraham Lincoln-in. Anija është shteti, kurse kapiteni është kreu i shtetit.
“Anija hedh spirancën, i erdhi fundi udhëtimit / Me guxim e fitore. / Gjëmoni ju brigje! Bini, kambana! / Përzishëm eci në kuvertë / Ku kapiteni im shtrihet i ftohtë, pa jetë” (Përktheu: Elona Qose).
Kapitenët tanë nuk i lidh asgjë me kapitenin e Whitman-it. Ata mburren me fitoret imagjinare edhe pse anija nuk ka arritur në port. Populli brohoret e gëzohet se kapiteni është gjallë, por nuk shqetësohet se anija po mbytet.
Rroftë kapiteni dhe në djall anija!
Anija “Maqedonia e Veriut” është larg nga porti i quajtur BE. Eurodeputetët ngritën alarmin për shtrirjen e “Botës Serbe” dhe për përkrahjen e objektivave gjeopolitike të Rusisë dhe të Kinës në vend.
Pas Raportit, krerët e shtetit sa nuk thanë se kanë hequr dorë nga rrugëtimi europian.
Ky është lajmi i mirë për euroskeptikët, por është lajmi më i keq për ata që vendin duan ta shohin si pjesë të BE-së. E kjo ndodh sepse vendi drejtohet nga kapitenë që mund ta fundosin anijen.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.