Kapitalizmi i egër dhe streha për pleqtë

Një vend ku e tashmja ngulfatet nga mendësitë e shekullit të kaluar shndërrohet në strehë për pleqtë.

Për mungesë perspektive, të rinjtë e shohin këtë vend me klimë të mirë, me katër stinë, me male, fusha, liqene e lumenj, me bukuri natyrore e kulturore, si stacion të përkohshëm para nisjes drejt vendeve të tjera, në kërkim të një jete të re, të sigurt dhe të dinjitetshme.

Ata largohen me ritëm marramendës për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike dhe mosbesimit në institucione.

Ekspertët thonë se faktorët kryesorë për ikjen e të rinjve janë mosfunksionimi i sistemit, mungesa e meritokracisë dhe motivi për një jetë më të sigurt dhe më të dinjitetshme…

Sot flitet shumë për mungesën e fuqisë punëtore. Para eksodit nuk mungonte fuqia punëtore, sepse kemi popullatë të re, por mungoi respekti për punëtorin. Ai punonte në kushte të rënda, me orar të stërzgjatur, pa kontratë pune, pa sigurim shëndetësor e pensional dhe paguhej jo për të jetuar, por për të mbijetuar.

Të rinjtë ikin, pra, sepse nuk e durojnë “kapitalizmin e egër”, pra sistemin shfrytëzues që mbron elitat ekonomike dhe lejon shfrytëzimin e pamëshirshëm të punëtorit.

Të rinjtë, që duan të krijojnë familje të re, duhet të kursejnë me dhjetëvjeçarë për të blerë me shumë vështirësi një banesë modeste.

Çmimet e banesave janë më të shtrenjta sesa në shumë vende me ekonomi të zhvilluara dhe me të ardhura mujore shumëfish më të larta se këtu.

Që ndër mote rron thënia se atdheu është aty ku jetohet më mirë dhe kur atdheu largohet nga njerëzit, atëherë edhe njerëzit kërkojnë vende më të mira për të jetuar.

Eksodi nuk ndalet me parulla boshe dhe me slogane patriotike, por me strategji afatgjate. Jo me strategji teorike, por praktike.

Shoqëria shpresëhumbur mund të çlirohet nga prangat e amullisë vetëm kur bashkohet rreth një qëllimi më të lartë; kur vlerëson vlerat pozitive; kur merr përgjegjësi për të ndërtuar shtet ligjor; kur udhëhiqet nga një vizion i qartë. Ky proces kërkon pjesëmarrje aktive të qytetarëve, udhëheqësve politikë dhe të shoqërisë civile.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.