Dominim i kuqezinjve në ring: KB ‘Shkëndija’ e nisi me fitore kampionatin në Shtip
Ka startuar zyrtarisht Kampionati i Boksit i Maqedonisë së Veriut për kategorinë e parë dhe grupmoshat e të rinjve, ku klubi i boksit “Shkëndija” ka treguar një formë të shkëlqyer që në xhiron e parë. Në pasditen e së dielës, nën organizimin teknik të klubit “Pimk Panter” nga Shtipi, nisi sezoni i ri i ligës, i cili premton të jetë një nga më sfiduesit e viteve të fundit. Në këtë turne hapës u paraqitën gjithsej 17 ekipe me 30 duele boksieri, duke shfaqur boksierë cilësorë dhe përballje që në momente të caktuara arritën nivelet e klasit botëror, shkruan Portalb.mk.
Për ekipin e ‘KB Shkëndija’ në këtë xhiro debutuese boksuan pesë sportistë, tre prej të cilëve në ligën për të rinjtë dhe dy në kategorinë e parë (U-19 dhe Seniorë). Rezultatet e arritura dëshmuan dominimin e ekipit nga Tetova, ku katër nga pesë boksierët dolën fitues nga ringu. Rejan Qazimi korri një fitore të pastër me rezultat 3-0, rezultat të cilin e përsëriti edhe Ilir Selmani. Ndonëse Donat Hasani pësoi një humbje, ekipi u rikthye fuqishëm me Semi Elmazin, i cili po ashtu fitoi me rezultat 3-0. Mbyllja e turneut ishte spektakolare falë Donjet Rahmanit, i cili triumfoi me ndërprerje që në raundin e parë (TKO-1R).

Trajneri i ekipit Jusuf Hashimi u shpreh mjaft i kënaqur me paraqitjen e tyre , duke vënë në dukje punën e madhe që është bërë gjatë muajve të fundit.
“Pas një pune përgatitore pa ndërprerje, madje edhe gjatë sezonit të pushimeve dimërore, boksierët e Shkëndijës ishin gati për të qenë surpriza e këtij sezoni. Hashimi theksoi se ata treguan dominim të plotë në ring gjatë kësaj xhiroje të parë dhe shprehu besimin se kjo punë do të konkretizohet edhe më tej me rezultate të larta dhe boks të bukur në vazhdim të kampionatit.” tha ai.