Kaosi në oborrin e Gjimnazit të Tetovës, drejtori Jeton Kamberi: Parkingu është krijuar shkaku i punimeve për amfiteatrin dhe bibliotekën e re (Video)
Pas reagimeve në opinion publik pas publikimit të storjes për gjendjen e degraduar të terrenit sportiv në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” dhe shndërrimin e tij në parking, drejtori i shkollës, Jeton Kamberi, në një deklaratë për Portalb.mk sqaroi se dera e oborrit është e hapur për shkak të punimeve që po zhvillohen në sallën e vjetër, ku po ndërtohen amfiteatër dhe bibliotekë e re. Sipas tij, kjo situatë është shfrytëzuar nga nxënësit dhe qytetarët, të cilët parkojnë automjetet në terrenin sportiv.
Tani e disa muaj, oborri i pasmë i Gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’ është shndërruar në parking i cili shfrytëzohet nga nxënësit e shkollës dhe banorët e lagjes.
Drejtori i shkollës, Jeton Kamberi thotë se kjo situatë është krijuar për shkak se dyert e oborrit janë hapur në mënyrë që firma e cila bën ndërtimin e amfiteatrit dhe bibliotekës së re në hapsirat e sallës së vjetër, të ketë qasje me makineri për punët e tyre.
“Ne i kemi mundësuar firmës ndërtuese pjesën lëvizëse te hyrja e oborrit që ata ta shfrytëzojnë për punët e veta ndërtimore, kalimin me furgonë dhe makineritë e tyre. Në kuadër të kësaj hapsire kohore e kanë shfrytëzuar fillimisht nxënësit tanë maturantë që vijnë me vetura dhe pastaj edhe qytetarë të ndryshëm. Kjo nuk do të zgjasë shumë por do të zgjasë derisa t’i kryejnë punët firma ndërtimore, në momentin që firma do të përfundojë me amfiteatrin dhe bibliotekën atëherë edhe ky parking i egër t’i themi do të mbyllet”, tha Kamberi.
Ai pret që punimet të përfundojnë së shpejti dhe amfiteatri dhe biblioteka e re të jenë gati për fillimin e vitit të ardhshëm shkollor.
Ndërkaq për gjendjen e shkatërruar të terrenit sportiv dhe lënies në harresë të investimeve, Kamberi thotë se është e nevojshme që edhe aty të intervenohet, por që shkolla nuk ka kapacitete financiare ta bëjë këtë.
Ai thotë se ka disa vite që ky terren sportiv nuk shfrytëzohet nga ana e nxënësve për shkak se është ndërtuar salla e re e sportit ku nxënësit aty i kryejnë aktivitetet.
“Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi nevojë për terrene sportive sepse ekzistojnë mundësi që në këtë hapsirë të madhe të bëhen hapsira sportive për sporte të ndryshme të cilat nuk mund të realizohen në sallën sportive. Ne si shkollë nuk posedojmë kapacitete financiare për të intervenuar dhe për të rregulluar këto hapsira, por kemi premtime nga ana e komunës të cilët na kanë premtuar se vetë ata kanë dorëzuar plan/projekt deri te një investues privat të cilët kanë shprehur interes për të investuar në këtë hapsirë të oborrit, si udhëheqës i shkollës do kisha dashur që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, tha Kamberi.
Për këtë ditë më parë, kryetari i komunës, Bilall Kasami tha për Portalb.mk se ka plan dhe projekt konkret, por nuk tregoi se kur konkrtisht pritet që terreni sportiv të restaurohet.
Gjendja e terrenit sportiv në gjimnazin ‘Kirl Pejçinoviq’ mbetet në gjendje të keqe, me asfalt të çarë, gropa, mungesë të rrjetave të shtyllave të futbollit si dhe qen endacakë.
Nxënësit e anketuar nga Portalb.mk kërkuan që terreni sportiv të rregullohet dhe të jetë në shërbim për sport dhe jo si parking.
Alarmin e ngriti edhe këshilltari komunal nga ‘Më Mirë për Tetovën’ dhe banori i lagjes, Agron Arifi, i cili thotë se kjo hapsirë duhet të restaurohet sa më parë.
Për këto probleme kritikoi edhe Bajram Rexhepi nga BDI-ja opozitare.
Ndryshe, pavarësisht restaruimit të disa terreneve sportive, disa shkolla në Tetovë ende mbeten me terrene sportive të dëmtuara dhe pa salla sportive.
- LEXO: Viti shkollor përfundoi me terrene sportive të dëmtuara dhe pa salla sportive për disa shkolla të Tetovës
- LEXO: Vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i gjashtë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës, detaje nuk ka ende
- LEXO: Midis “urgjencës dhe utopisë” në Tetovë, terrenet sportive të shkollave fillore në gjendje alarmante
Storja u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.