Kaos dimëror në Tetovë: Trafik i bllokuar, plani i mobilitetit ende pa zbatim në terren

Ngjashëm si çdo vit, me ardhjen e mërgimtarëve gjatë sezonit të festave të fund vitit, Tetova përveç ndotjes së ajrit ngulfatet edhe nga kaosi në trafik, ndërsa kalimi nga njëri cep i qytetit në tjetrin zgjatë shumë gjatë. Qytetarët janë të lodhur nga pritjet e gjata në timon dhe rrugët e bllokuara. Komuna e Tetovës ndonëse me muaj të tërë premton një plan mobiliteti për zgjidhjen e kaosit urban, i njëjti nuk është përfunduar ende, shkruan Portalb.mk. 

Radhët e gjata përgjatë rrugëve kryesore të qytetit shkaktojnë pritje të gjata dhe revoltë te qytetarët. 

“Ditët e fundit dukshëm ka më shumë vetura, jemi mësuar tanimë, çdo vit e njëjta situatë kurse zgjidhje nuk ka”, tha një qytetare. 

“Ky problem asnjëherë nuk do të zgjidhet, vetëm premtojnë kurse nuk realizojnë asgjë, nuk merren masa, siç shihet çdo kush parkohet ku i kujtohet dhe nuk merren masa, s’ka as vende të reja parkimi, asgjë”, tha një qytetar. 

“Edhe për ne që vijmë të paktën dy herë në vit kjo gjendje nuk është se na pëlqen, duhet të punohet diçka se çdoherë njëjtë”, tha një mërgimtar. 

Zgjidhja për kaosin në trafik, tani e disa kohë nga Komuna e Tetovës thuhet se do të bëhet përmes planit të mobilitetit. Megjithatë, i njëjti nuk është gati si dokument përfundimtar që pastaj të fillohet me implementimin. 

“Si dokument final do të jetë gati para Vitit të Ri dhe në bazë të këtij studimi të planit për mobilitet do të merren hapa konkrete qoftë për parking, transport publik dhe infrastrukturë rrugore në përgjithësi”, thanë nga Komuna e Tetovës. 

Ky plan i mobilitetit është përgatitur nga Instituti INSI nga Kosova dhe përmes tij pritet të zgjidhet çështja e kaosit në trafik si parkingjet, regjimi i rrugëve, transporti publik, uzurpimi i trotuareve dhe të tjera. Deri tani janë mbajtur dy debate publike.

Në ndërkohë, plani i ri gjeneral urbanistik për Tetovën pritet të sillet në vitin 2026. 

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.