Tatimet dhe paragjykimet

Në Maqedoninë e Veriut lulëzojnë paragjykimet etnike, që janë sforcuar ndër vite nga mediat dhe elitat me ndikim në shoqëri, politikë e kulturë.

Paragjykimet, që përkufizohen si qëndrime negative ndaj grupeve të ndryshme etnike, fetare, kulturore, racore apo sociale, shkaktojnë ndarje të thella në shoqëri.

Nëpërmjet thjeshtëzimit të realitetit dhe shpërfilljes së fakteve, krijohet perceptimi i gabuar dhe i dëmshëm për individë dhe kombe.

Mirazhet sjellin pasoja të paparashikueshme, veçanërisht në shoqëri shumetnike, sepse i thellojnë ndarjet ndërmjet etnive të ndryshme.

Te një pjesë e shoqërisë në Maqedoninë e Veriut është krijuar bindja e gabuar se shqiptarët nuk kanë kulturë fiskale dhe nuk paguajnë tatime, por të dhënat zyrtare e dëshmojnë të kundërtën. Faktet flasin ndryshe nga çfarë mund të paragjykohet.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), bizneset në qytetet me shumicë shqiptare kanë disiplinë shumë të lartë fiskale.

Raporti i DAP-it, i përpiluar pas kontrolleve të kryera në shumë qytete gjatë nëntorit të vitit 2025, dëshmon për dallime të theksuara në disiplinën fiskale midis qyteteve në Maqedoninë e Veriut.

Shkeljet më të mëdha në moslëshimin e kuponëve fiskalë, mospasjes së pajisjeve fiskale dhe mosdorëzimin e raporteve ditore janë shënuar në Kratovë, Koçan, Shën Nikollë, Dojran, Dellçevë e Berovë.

Përqindje shumë e lartë e shkeljeve, nga 50 deri mbi 80 për qind, ka edhe në Shtip, Gjevgjeli, Radovish, Negotinë e Strumicë.

Shumë më pak shkelje u regjistruan në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Ohër, Tetovë e Resnjë, kurse në Dibër nuk u shënua asnjë shkelje në punën e bizneseve.

Ky raport kaloi në heshtje. Po të ishte e kundërta e asaj që u prezantua, atëherë, me siguri, do të ishin bërë kushedi sa “analiza”.

Ka edhe shumë paragjykime të tjera etnike që, në vend se të dekonstruktohen, mjerisht, sforcohen për qëllime të mbrapshta nëpër media, në paraqitjet publike, madje edhe në libra.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.