Kanë kaluar mbi dy muaj, deponia në Orizare që helmon fëmijët ende nuk është pastruar, autoritetet nuk reagojnë dhe heshtin

Kanë kaluar mbi dy muaj, por deponia mbi fshatin Orizare, e cila ndodhet vetëm njëqind metra larg kopshtit “Rrezja” në Komunën e Likovës, ende nuk është pastruar. Banorët kërkojnë me urgjence pastrimin e saj. Ndërkaq, autoritetet lokale heshtin, dhe nuk përgjigjen as në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk. 

Banorët e Orizares sërish u ankuan në redaksinë e Portalb.mk për deponinë e papastruar e cila ndodhet vetëm 100 metra larg kopshtit “Rrezja” mbi fshatin Orizare. Banorët u ankuan se kjo situatë rrezikon shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.

Portalb.mk më 26.12.2025 e vizitoi deponinë. Biseduam me banorët, të cilët kërkojnë urgjentisht pastrimin e saj nga autoritetet dhe shprehin revoltë, duke theksuar se sa herë që një deponi mbyllet, hapet një tjetër, gjë që e konsiderojnë skandaloze.

Ata madje dëshmuan se ditë më parë mbeturinat ishin djegur nga autorë të panjohur, gjë që ka shkaktuar ndotje dhe të ajrit dhe përkeqësim të mëtejmë të gjendjes.

Foto e dërguar nga një banor i fshatit Orizare.
Foto nga një banor i fshatit Orizare.

Pyetëm Komunën e Likovës se pse ende nuk është pastruar deponia mbi fshatin Orizare dhe kur do të ndërmarrin masa, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje. 

As nga Ndërmarrja Publike Komunale “Pisha” nuk morëm përgjigje. 

Kujtojmë se më 26 tetor, mbi fshatin Orizare, në Komunën e Likovës, u krijua një deponi mbeturinash nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Disa prej banorëve u ankuan në redaksinë e Portalb.mk për situatën në terren dhe kërkuan pastrimin e menjëhershëm të mbeturinave. Megjithatë, autoritetet komunale ende nuk kanë dhënë përgjigje. 

Më 15 shtator, Ministria e Mjedisit kumtoi se deponia në Nikushtak është mbyllur zyrtarisht sepse nuk i plotëson standardet për mbeturina. Ky vendim erdhi pas protestave të banorëve, të cilët kundërshtuan hedhjen e mbeturinave nga Ndërmarrja Komunale Publike “Pisha”. Pas vendimit, reagoi Komuna e Likovës duke e quajtur atë vendim si joligjor. 

Përndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi monitoron deponitë e krijuara përreth Komunës së Likovës.