Më 21 prill votohet për largimin e kryetarëve në veri të Kosovës, procesi kushton mbi 230 mijë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar buxhetin për organizmin e procesit të votimit që do të mbahet më 21 prill për largimin e kryetarëve të komunave veriore.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, u bë e ditur se buxheti i planifikuar është 233 mijë e 204 euro.

“Në këtë mbledhje KQZ shqyrtoi dhe miratoi planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro”, tha Valmir Elezi për Klankosova.tv.

Sipas vendimit të sotëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fushata për këtë proces fillon më 19 prill dhe përfundon në orën 07:00 më 21 prill.

Aktivitetet kryesore për organizimin e këtij procesi, i referohen afatit prej 44 ditësh. Në mesin e tyre është edhe certifikimi i Listës Votuese e cila do të bëhet jo më vonë se më 9 prill.