Kur pas aq shekujsh të jetës mizerje nën thundrat e pushtuesve turlifare u bë Shqipëria shtet më vete, bijtë më të mirë të saj, që e ringjallën nga hiri, e dinin se, pas këtij akti të ëndërruar me shekuj, i priste beteja e madhe për bërjen e shqiptarit, i cili nuk ka mjaftueshëm dashuri për vetveten.
Ndër prometejët e Rilindjes ishte dhe Gjergj Fishta, i bindur se: Pa nji bashkim t’vërtetë s’ka për t’ague për ne agimi kurrë, por gjithmonë nata, e marrja e skami kanë për t’na ngushtue… Ai, para 117 vitesh, shkroi vjershën “Koha e arit në Shqypni”, e cila, ngjashëm si shumë të tjera, duket se iu kushtua marrëzive të kohës sonë.
Kjo dëshmohet gjithandej ku jetojmë të degdisur nëpër shtetthet e Ballkanit, që ushtrojnë mbi ne hegjemonizmin, jo pse janë më të fuqishëm, po pse ne jemi të përçarë e të butakëzuar për mëshirim.
A keni dëgjuar, fjala vjen, ndonjë debat serioz për të mirën e kombit në kuvendet e dy shteteve shqiptare? Kur janë pajtuar krerët e politikave të lakadredhura për ndonjë çështje jetike për të ardhmen ndryshe? Kurnjëherë, sepse janë spicat, fyerjet dhe sharjet më banale ato që mbushin debatet inekzistente të politikave kallpe shqiptare.
Të njëjtë janë edhe politikanët e sinoreve tjera shqiptaret. Të gjithë të armiqësuar keq me njëri-tjetrin dhe të painteresuar për ta gjetur udhën e pajtimit dhe të kompromiseve ndërvëllazërore që do t’na bënte më të fortë karshi politikave gjithmonë kubare dhe rigjide të tjetrit.
Në kësi rrethanash shumëkushi bën se nuk e di: kush dreqi qet pushkë mbi ne, mos me u ba dy vetë m’nji fjalë?, sepse peshqit nuk bëzajnë para ekselencave me poste politike, që sigurisht do të vazhdojnë ta përçajnë kombin për interese meskine dhe pushtete fiktive, gjersa të shpërngulet përgjithmonshëm nga trojet e të parëve edhe shqiptari i fundit.
Në vija të trasha, kjo është arsyeja përse nuk duhet besuar përrallëtarëve, të cilët deri dje thoshin se shekulli XXI është i shqiptarëve. I tillë mund të ishte po të ishim sjellur ndryshe, të paktën përgjatë dy-tri dekadave të fundit dhe po të mos e gjenim veten akoma sot në vargjet e poezisë së At Gjergj Fishtës:
KOHA E ARIT NË SHQYPNI
Sod ma shpejt nji thes me pleshta
Ti ban bashkë se dy Shqyptarë.
Sa janë fise permbi dhe
Me bashkim kto n’dritë kanë dalë:
Ka qitë dreqi pushkë mbi ne
Mos me u ba dy vetë m’nji fjalë.
Perse ktu kujton se i cilli
Se ka mend edhe me shitun:
Thue se mendja e hollë e kshilli
Vijne prej vedit n’krye tu’u rritun.
Jo, he paça ! S’janë mendt firi
Per me u rritë neper morriza:
S’asht ba i dijshem kush pa hiri,
Ndejë pështetë e tue njehë miza…