Ka filluar përhapja e gjuhës së urrejtjes para zgjedhjeve ndaj grave, Platforma për Barazi Gjinore: Partitë të përmbahen nga fyerjet

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, ka filluar të përhapet edhe gjuha e urrejtjes, veçanërisht ndaj grave. Për këtë, Platforma për Barazi Gjinore apelon te partitë politike dhe mbështetësit e tyre që të përmbahen nga fyerjet dhe përhapja e gjuhës së urrejtjes, raporton Portalb.mk.

Platforma për Barazi Gjinore thekson se edhe ciklet e kaluara parazgjedhore u shënuan nga një gjuhë jashtëzakonisht e fortë e urrejtjes, e cila ishte veçanërisht e fokusuar te gratë që ishin të përfshira në procesin parazgjedhor.

“E kësaj here, fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht dhe tashmë jemi dëshmitarë të sulmeve seksiste dhe shoviniste ndaj grave. Përsëri, rrjetet sociale janë çerdhja më e madhe e turpësisë, jocivilizimit, fyerjeve, mizogjinisë dhe madje edhe gjuhës së hapur seksiste të urrejtjes. Ne dënojmë gjuhën e urrejtjes që po intensifikohet me afrimin e zgjedhjeve dhe apelojmë për sjellje të përgjegjshme dhe të civilizuar”, thonë nga Platforma për Barazi Gjinore.

Kjo platformë thekson se vendi ka mungesë të sistemit të ndëshkimit për rastet e gjuhës së urrejtjes.

Qytetarët mund të raportojnë rastet e gjuhës së urrejtjes në platformën e posaçme për këtë qëllim www.govornaomraza.mk.

“Raportet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes do të përpunohen në përputhje me rrethanat te institucionet kompetente”, thanë nga Platforma për Barazi Gjinore.

Analiza e Portalb.mk e publikuar në nëntor 2023 nxori në pah se në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm. Nga ana tjetër, institucionet nuk po bëjnë aq sa duhet në këtë drejtim, ndërsa shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare vazhdimisht alarmojnë.

Rikujtojmë që zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.