Edhe pse BE-ja thekson se fëmijët me aftësi të kufizuara dhe jetimët janë të margjinalizuar, RMV mendon se janë bërë përmirësime

Maqedonia e Veriut, përkatësisht Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, konsideron se ka bërë përmirësime të dukshme sa i përket kushteve të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve jetimë. Por, ndryshe mendon Komisioni Evropian, i cili në raportin e fundit, vlerësoi se mungesa e burimeve të mjaftueshme financiare për zbatimin e ligjeve dhe modelit social të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, çon në margjinalizimin dhe diskriminimin e tyre për sa i përket qasjes në shërbime të kujdesit social, por edhe të në arsim dhe shëndetësi, transmeton Portalb.mk.

Në raport, Komisioni Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut vazhdoi përpjekjet e saj për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat ​​e rregullta dhe parashkollore, megjithatë, nuk ka burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të zbatuar modelin social të vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në të drejtat e njeriut.

“Kjo çon në margjinalizimin dhe diskriminimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara për sa i përket qasjes në arsim, shëndetësi dhe shërbime të kujdesit social. Autoritetet duhet të vazhdojnë të reformojnë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në një mënyrë që të ketë përparësi vendosjen e fëmijëve në familje dhe jo në shtëpi të vogla grupore”, thuhet në raportin e KE.

Të pyetur nga MPPS për këtë vlerësim, ata nuk mendojnë se ka mungesë të burimeve për zbatimin e modelit social, përkundrazi, thonë se kjo ministri, krijoi kushte që kopshtet si pjesë e procesit arsimor të mundësojnë pjesëmarrje aktive dhe të barabartë për të gjithë fëmijët, duke ofruar njëkohësisht mundësi për zhvillimin maksimal të potencialit të çdo fëmije.

Fëmijë, kopsht. Foto: Sigmund/Unsplash
Fëmijë, kopsht. Foto: Sigmund/Unsplash

“Në këtë drejtim, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në vitin 2021 iu afrua ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe u mundësoi kopshteve të pranojnë dhe përfshijnë fëmijët me aftësi të kufizuara në të gjitha grupet arsimore, në mënyrë që me rastin e pranimit të fëmijëve, përparësi t’i jepet fëmijës me aftësi të kufizuara, për të cilin është paraqitur konstatim dhe mendim nga Shërbimi i Vlerësimit Funksional, me rekomandime për pranim nga i njëjti shërbim. Aktualisht janë 617 fëmijë me aftësi të kufizuara të regjistruar në institucionet publike për fëmijë”, thonë nga MPPS.

Sipas tyre, kopshtet punësojnë staf profesional, mësues speciale, logopedë, psikologë, pedagogë dhe punonjës socialë, mjekë dhe stomatologë që punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Aktualisht në institucionet publike janë të punësuar 153 profesionistë. Paralelisht me këtë proces, po zhvillohet procesi i përmirësimit të njohurive dhe kompetencave të stafit profesional dhe edukativ për punën me fëmijët me aftësi të kufizuara. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në bashkëpunim me partnerë të jashtëm, zhvillon trajnime dhe punëtori të shumta me të cilat përmirësojmë njohuritë e punonjësve për të fituar aftësi të mjaftueshme për të qenë në gjendje të takojnë fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshirë në arsimin parashkollor”, shtojnë nga kjo Ministri.

Sa i përket qasjes në objekte, ministria thekson se duke ndjekur standardet ndërkombëtare, janë bërë ndryshime dhe përshtatje të rëndësishme në këtë drejtim: “Janë instaluar rampa të përshtatshme që mundësojnë qasje të lehtë në hyrje të kopshtit, në aktivitetet dhe ambientet sanitare, si dhe një mjedis stimulues në dhomën e ndenjjes për të arritur plotësisht potencialin zhvillimor të fëmijëve, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara”.

Politikat e ministrisë, shtohet më tej, synojnë braktisjen e praktikës së vendosjes së fëmijëve në institucion dhe “institucionalizimin” e tyre të mëtejshëm.

“Për këtë qëllim në periudhën e kaluar janë transformuar institucionet që kujdesen për jetimët dhe kujdesin prindëror. Fëmijët vendosen në familje kujdestare ose në shtëpi grupore në shtëpi me qira dhe u sigurohet mbështetje 24-orëshe nga profesionistë. Rezultatet janë pozitive sepse u mundësoi fëmijëve të jetojnë në kushte më të mira dhe të kenë një qasje individuale për të punuar me secilin fëmijë në varësi të nevojave të tyre. Megjithatë, vendosja e fëmijëve në shtëpi grupore është e një natyre të përkohshme, sepse është në interesin më të mirë të fëmijëve që të kthehen në familjet e tyre, të birësohen ose të jetojnë në një mjedis që është më afër familjes, përkatësisht familje kujdestare”, thonë nga MPPS.

Fëmijë, dhuna ndaj fëmijëve. Foto: geralt/Pixabay
Foto: geralt/Pixabay

Me qëllim të forcimit të sistemit të kujdestarisë duke rritur numrin e familjeve kujdestare si dhe përmirësimin e cilësisë së kushteve në familjet kujdestare ekzistuese, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen Sociale, në vendin tonë janë hapur tre qendra për mbështetjen e familjeve kujdestare dhe zhvillimin e sistemit për kujdestarinë e fëmijëve.

Për momentin në vendin tonë kemi 359 familje kujdestare në të cilat kujdesen 603 fëmijë.

Vendi u kritikua edhe në raportin e progresit të vitit 2022, ku dhe u kërkua që fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore dhe të vazhdojë përmirësimi dhe mbështetja për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve”, ishte kërkesa e KE-së për Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, pavarësisht kësaj kërkese, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS) arsyetohej se për përfshirjen e fëmijëve romë në institucionet publike, po punojnë 15 vite me radhë. Megjithatë, edhe pas një dekadë e gjysmë, rezultatet janë të dobëta. Fëmijët romë edhe më tej janë pre e trafikimit dhe keqpërdorimit për përfitime materiale.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.