Jonid Jorgji: Industria që prodhon vetëm për festivale dhe nuk flet me publikun, rrezikon të mbetet hermetike
Kinemaja shqiptare po kalon një fazë të rëndësishme reflektimi dhe transformimi, ku përballë talentit dhe potencialit artistik qëndrojnë ende probleme të vjetra strukturore, financiare dhe institucionale. Në këtë kontekst, roli i institucioneve mbetet vendimtar për të orientuar zhvillimin e sektorit drejt një modeli më funksional dhe më ambicioz. Në një intervistë për Portalb.mk, Jonid Jorgji, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, ndan vlerësimin e tij për gjendjen e sotme të filmit shqiptar, sfidat kryesore të industrisë dhe hapat që po ndërmerren për të ndërtuar një ekosistem më të fortë kinematografik në Shqipëri.
Portalb.mk: Çfarë nënkupton drejtimi i një institucioni kombëtar të kinematografisë në raport me zhvillimin e përgjithshëm të industrisë së filmit?
Jonid Jorgji: Në thelb, të drejtosh një institucion kombëtar filmi nuk do të thotë të jesh “roja i thesarit” apo censori i radhës; do të thotë të jesh arkitekti i një ekosistemi. Detyra e një drejtuesi në këtë institucion është të sigurohet që “pas kamerave” të ketë një infrastrukturë të shëndoshë, rregulla të qarta dhe financime të aksesueshme, në mënyrë që kineastët të shqetësohen vetëm për magjinë që ndodh brenda ekranit. Është pak a shumë si të jesh dirigjent i një orkestre ku të gjithë muzikantët duan të luajnë solo, kërkon vizion strategjik, diplomaci dhe, natyrisht, nerva të çelikta!
Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore të kinemasë shqiptare sot dhe çfarë drejtimi strategjik kërkohet për t’i adresuar ato?
Jonid Jorgji: Përballemi me katër pengesa thelbësore: edukimi i brezit të ri me audiovizualin, fondet e limituara, një infrastrukturë ligjore e vjetruar (të cilën fatmirësisht po e ribëjmë nga e para) dhe makthi i distribucionit të prodhimeve tona brenda dhe jashtë vendit. Por, e rëndësishme është që ne nuk po presim një mrekulli për t’i zgjidhur; Qendra Kombëtare e Kinematografisë po ndërmerr hapa konkretë për secilën nga këto pika momentalisht.
Federico Fellini thoshte: “Kinemaja është një iluzion, por qendra e saj duhet të jetë një realitet absolut.” Dhe realiteti ynë absolut fillon, si gjithmonë, te buxhetet, fondet e limituara na mbajnë shpesh nën trysni. Menjëherë pas saj vjen ngërçi i distribucionit. Ne mund të xhirojmë filma të shkëlqyer, por nëse nuk e zgjidhim qarkullimin e tyre nëpër salla apo platforma, përfundojmë duke krijuar thjesht dosje digjitale shumë të shtrenjta që i shohim vetëm ne. Për ta thyer këtë izolim, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sporteve, po rijetësojmë kinematë e vjetra të rretheve. Jemi duke i sjellë sërish aktive për publikun e këtyre qyteteve, duke çuar filmin shqiptar dhe atë evropian aty ku i takon: në ekranin e madh.
Nga ana tjetër, e kemi kuptuar se nuk mund të presim rezultate të reja duke luajtur me rregulla të vjetra. Prandaj sfida e tretë, infrastruktura ligjore e cila është në një pikë kthese historike. Ne po punojmë intensivisht për një ligj të ri, thelbësor, i cili do të transformojë qasjen institucionale dhe do t’i përgjigjet dinamikave të një tregu modern.
Dhe e fundit, e cila është baza e çdo të ardhmeje: edukimi audiovizual. Nëse nuk i mësojmë të rinjtë dhe fëmijët sot se si të lexojnë dhe të dashurojnë gjuhën e imazhit, nesër sytë e tyre do të jenë të verbër ndaj kinemasë sonë dhe ne do të mbesim pa publik. Për këtë arsye, kemi filluar programet e edukimit duke hapur Zyrën e Karrierës. Kjo zyrë ka drejtuar tashmë një sërë marrëveshjesh me shkollat më të rëndësishme të filmit në botë, si FAMU apo Centro Sperimentale di Cinematografia. Dhe nuk ndalemi këtu: ne mbulojmë bursa të plota për ata kineastë të rinj që shkojnë të studiojnë aty.
Drejtimi ynë strategjik është i qartë: duhet të kalojmë nga një “kinema e përpjekjeve të izoluara” në një “ekosistem të mirëfilltë bashkëprodhimi dhe shpërndarjeje”. Me kornizën e re ligjore si themel, fokusi ynë zhvendoset te krijimi i lehtësirave për prduksionet shqiptare dhe te huaja qe vendosin te xhirojne ne shqiperi, fuqizimi i urave të distribucionit dhe kultivimi i një publiku që di ta vlerësojë filmin. Vetëm kështu nuk do të jemi më një ishull në hartën kinematografike.

Portalb.mk: Si mund të përkufizohet gjendja aktuale e kinemasë shqiptare në aspektin e prodhimit, shpërndarjes dhe konkurrueshmërisë ndërkombëtare?
Jonid Jorgji: Për ta thënë me gjuhën e sheshit të xhirimit: kemi aktorët dhe regjisorët për rolet kryesore, por shpesh na mungon ajo trupë e fortë dhe e padukshme prapaskene që bën magjinë të ndodhë përditë. Kemi një brez kineastësh që po e çojnë emrin tonë në festivale të kategorisë A, dhe ky është një certifikim i pamohueshëm i talentit tonë autorial! Por, kur shikojmë përtej karrocës së regjisorit, aty na mungojnë theksueshëm profesionistët e rinj të filmit. Kemi një nevojë emergjente për drejtorë fotografie, inxhinierë zëri, skenografë, ndriçues, menaxherë sheshi të kualifikuar etj. Kjo është arsyeja pse po ngulmojmë kaq fort te bursat dhe shkollimi jashtë.
Një industri që prodhon vetëm për t’u ekspozuar në vitrinat e festivaleve dhe nuk arrin të flasë me publikun e saj të brendshëm, rrezikon të mbetet hermetike. Distribucioni nuk është thjesht transportim i një hard-disku; është ndërtimi i një ure mes veprës dhe shikuesit.
Ne vuajmë nga mungesa e volumeve. Prodhimi i pak titujve në vit do të thotë se probabiliteti për hite globale, nga ana thjesht statistikore, mbetet i ulët. Sot ne jemi pa diskutim të dukshëm kur ulemi në tryezat e tregjeve të mëdha evropiane të filmit, partnerët e huaj na njohin dhe na respektojnë. Por, që të kalojmë nga “të dukshëm” në “të qëndrueshëm” dhe të mund të përballojmë fluksin e bashkëprodhimeve ndërkombëtare, ne nuk mund të bazohemi vetëm te entuziazmi. Na duhet një industri e standardizuar me stafe të mirëfillta, incentiva konkuruese dhe një ushtri me profesionistë të rinj, të aftë t’i përgjigjen kërkesave të një tregu evropian tepër konkurrues.
Portalb.mk: A është infrastruktura institucionale ekzistuese e mjaftueshme për zhvillimin e sektorit të filmit, apo kërkohen reforma më të thella strukturore?
Jonid Jorgji: E vërteta jonë institucionale është se korniza e vjetër ligjore e ka ezauruar misionin e saj. Kjo është arsyeja pse jemi thellësisht të angazhuar me eksperte shqiptar dhe te huaj, në draftimin e një ligji të ri, modern, për kinematografinë dhe sektorin audiovizual. Na duhen reforma thelbësore që çojnë drejt krijimit të një agjencie të re, e cila i përgjigjet dinamikave dhe produkteve te reja të kohës. Ky nuk është thjesht ndryshim emri; flasim për përfshirjen e stimujve financiarë (si tax rebates apo tax shelter) që e kthejnë Shqipërinë në një destinacion tërheqës për produksionet shqiptare dhe te huaja, duke sjellë para në ekonomi dhe duke rritur profesionalizmin e stafeve tona.
Portalb.mk: Si ndikojnë faktorët si mungesa e fondeve, tregut dhe transparencës në zhvillimin e industrisë së filmit dhe cili duhet të jetë prioriteti në zgjidhjen e tyre?
Jonid Jorgji: Si drejtues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, detyra ime nuk është të ankohem për mungesën e fondeve, por të punoj për ti rritur ato. Tregu i kufizuar është një realitet gjeografik, por fondet nuk duhet të shihen si një mallkim i përjetshëm. Ne nuk po rrimë me duar në xhepa duke pritur që gjithçka të pikoj nga tavani i buxhetit të shtetit. Përkundrazi, kemi kaluar në punë dhe rezultatet flasin vetë: vetëm gjashtë muajt e fundit, falë aplikimeve proaktive të vetë institucionit tonë në fondet evropiane dhe të tjera ndërkombëtare, i kemi shtuar industrisë së paktën 700 mijë euro të tjera. Ky është një injeksion real kapitali, i vënë drejtpërdrejtë në dispozicion për prodhime kinematografike, programe edukimi dhe mentorim. Prioriteti im absolut është ta kthejmë këtë sektor në një industri reale. Një industri me një imazh të pastruar dhe proaktivitet të lartë, duke rritur volumin e punës dhe të filloj të gjenerojë edhe vetë të ardhurat e saj.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen gratë në kinematografi në Shqipëri dhe rajon, dhe si mund të tejkalohen ato?
Jonid Jorgji: Sfidat për gratë në kinemanë tonë dhe atë rajonale janë ende të pranishme: qasje më e kufizuar në buxhete të mëdha dhe një peshë e pashkruar e mentalitetit që shpesh i kërkon të vërtetojnë dyfish aftësitë e tyre në një set xhirimi. Gjatë diskutimeve në nisma të rëndësishme, siç është konferenca “Breaking the Frame: Balkan Women Reimagine Cinema”, konfirmohet gjithmonë e njëjta gjë: kjo është një sfidë rajonale, jo vetëm e jona. Agnès Varda e thoshte kaq bukur: “Unë nuk jam një grua regjisore. Jam një regjisore që rastis të jem grua.” Për ta tejkaluar këtë, ne nuk na duhen thjesht fjalë mbështetëse, por politika mbështetëse.
Portalb.mk: Çfarë mekanizmash mund të krijohen për të mbështetur të rinjtë në hyrjen në industrinë e filmit dhe për të ndërtuar ura mes arsimit, tregut dhe institucioneve?
Jonid Jorgji: Të jesh i ri sot në këtë industri kudo në botë, është si të presësh në këmbë që të mbarojnë bisedën të rriturit. Ne, si institucion, e kemi për detyrë t’u ofrojmë karrigen e tyre. Nuk mjafton vetëm diploma; na duhen ura konkrete mes bankave të shkollës dhe sheshit të xhirimit.
Mekanizmat që po shtyjmë përpara përfshijnë: Fondi i Filmit të studentëve: Që të rinjtë të mos konkurrojnë drejtpërdrejt me emrat e konsoliduar, por të kenë linjën e tyre të dedikuar ku mund të gabojnë dhe të mësojnë.
Bursat e Specializimit Ndërkombëtar: Asnjë kineast nuk mund të rritet i izoluar. Përpjekjet tona për të krijuar bursa dhe mundësi specializimi për kineastët e rinj shqiptarë, janë provë se ne po ndërtojmë ura reale me tregun dhe edukimin evropian.
Praktikat në Set: Inkurajimi i produksioneve që marrin fonde nga QKK për të përfshirë studentë me pagesë në setet e tyre.
