Lia e dhenve sëmundja më e shpeshtë infektive në mars, u regjistruan edhe raste të reja me HIV

Gjatë muajit mars, pjesa më e madhe e sëmundjeve akute infektive të regjistruara në Maqedoninë e Veriut i përkasin grupit të infeksioneve të traktit respirator, të cilat përbëjnë 48,4 për qind të numrit të përgjithshëm të rasteve, tregojnë të dhënat nga buletini mujor i sëmundjeve akute infektive i publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.

Numri më i madh i tyre janë lia e dhenve, ndërsa brenda të njëjtit grup janë regjistruar edhe 17 raste të mononukleozës infektive, shtatë raste të skarlatinës, pesë raste të sëmundjes së legionerëve, katër raste të infeksioneve pneumokokale dhe tre raste të kollës së keqe.

“Në grupin e infeksioneve seksualisht dhe përmes gjakut të transmetueshme, pa përfshirë HIV/AIDS, janë evidentuar nëntë persona të sëmurë. Prej tyre, katër raste janë sifilis, tre janë hepatit viral B, ndërsa nga një rast është raportuar për infeksion me klamidia dhe hepatit viral C”, thonë nga ISHP..

Në grupin e zoonozave janë evidentuar pesë raste, prej të cilave dy janë brucelozë dhe ekinokokozë, ndërsa një rast është boreliozë.

Gjatë muajit janë raportuar edhe tre raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te djem të moshës nga 30 deri në 50 vjeç.

“Gjatë muajit mars, në ISHP ka arritur njoftim për epidemi me diagnozë Toxoinfectio alimentaris, nga Qendra për Shëndet Publik Manastir, në të cilën deri më 31.03.2026 janë regjistruar 191 persona të sëmurë nga kombinati minerar-energjetik në Manastir. Shenjat e para të sëmundjes te të prekurit janë shfaqur më 25.03.2026, ndërsa janë regjistruar dy persona të hospitalizuar.

“Është kryer hetim epidemiologjik, janë marrë mostra për analiza mikrobiologjike nga ushqimi, sipërfaqet e punës, mjetet e punës dhe enët për ushqim, si dhe materiale për analiza mikrobiologjike nga punonjësit dhe të sëmurët. Janë marrë rezultate pozitive për një pjesë të mostrave nga mjedisi jo i gjallë, nga strishot e hundës dhe duarve të punonjësve dhe nga materialet e marra për analizë nga të sëmurët”, thonë nga ISHP.

Nga aty shtojnë se nuk ka rezultate pozitive nga mostrat e ushqimit dhe janë ndërmarrë masa përkatëse higjienike dhe kundër epidemike.