Jemi të interesuar për hekurudhën e shpejtë me Greqinë, jo atë të ngadalshmen me Bullgarinë, sqaroi Nikollovski

Ministri për Transport, Aleksandar Nikollovski, ka theksuar që është i interesuar që Maqedonia e Veriut të lidhet me një hekurudhë që do të mundësojë lëvizjen e shpejtë të trenave për në Selanik, e nuk është i interesuar të realizojë hekurudhën që mundëson lëvizjen e ngadalshme për në Sofje, transmeton Portalb.mk.

“Unë nuk mund të lejojë që të shpenzohen aq para për diçka që nuk do të shfrytëzohet. Nuk duhet të investojmë në hekurudhë ku treni nuk do të mund të lëvizë më shumë se 60 kilometra në orë”, deklaroi Nikollovski.

Ai theksoi që problem është edhe ajo se akoma nuk dihet nëse Bullgaria do të ndërtojë pjesën tjetër të kësaj hekurudhe, duke sqaruar se nuk është kundër ndërtimit të hekurudhës së Korridorit 10, por projekti ka shumë probleme.

“Për mua, projekt më i shfrytëzueshëm për Maqedoninë është ndërtimi i hekurudhës së shpejtë nga Shkupi për në Selanik, që mundëson lëvizjen me 200 kilometra në orë për udhëtarë dhe deri 160 kilometra në orë për transportin e mallrave”, deklaroi Nikollovski, duke vlerësuar se rruga nga Shkupi për në Selanik do të zgjatë 1 orë e 15 minuta.

Ministri Nikolllovski vlerësoi që përmes kësaj hekurudhe, Maqedonia e Veriut do të lidhet me Nishin, Beogradin, Novi Sadin, Suboticën dhe Budapestin.

Përmes Bankës Botërore, ai theksoi se janë siguruar 12 milionë euro për ndërtimi e rrugëve të komunave, duke sqaruar që edhe 88 milionë euro do të sigurohen përmes rebalancit të buxhetit të shtetit.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2023faqen e internetit të BE-së është publikuar tenderi për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës nga Kumanova deri në kufi me Bullgarinë (Deve Bair), si pjesë e Korridorit 8. Bëhet fjalë për seksionin e tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa ndërtimi i dy pjesëve të mbetura nga Kumanova në Beljakovc dhe nga Beljakovca në Kriva Pallankë është ende në proces.

Deri më tani nuk ka asnjë projekt tjetër në Maqedoninë e Veriut që të ketë marrë fonde kaq të mëdha nga BE-ja për zbatimin e tij. Por, së bashku me fondet, vazhdimisht ka kritika nga autoritetet evropiane për shpejtësinë e realizimit të hekurudhës drejt Bullgarisë.