Jehona e votuesve në zgjedhjet lokale nuk kaloi 50%, pjesëmarrja më e ulët që nga pavarësia e RMV-së

Jehona në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë këtë vit për herë të parë nuk ka arritur të tejkalojë 50 për qind, as në rrethin e parë, as në rrethin e dytë. Kjo i ka bërë këto zgjedhje të tetat lokale me pjesëmarrjen më të ulët që nga pavarësia e vendit, transmeton TV 21.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, në rrethin e parë për kryetar komune, jehona ishte 48,30 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Nga 1.832.415 votues të regjistruar, kanë votuar 885.085 qytetarë. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, sipas të dhënave të përpunuara 98,26 për qind të votave, jehona ishte 40,46 për qind, ndërsa informacionet jozyrtare e vendosin atë në 41,24 për qind.

Jehona më e lartë në rrethin e dytë u regjistrua në Rosoman (79,68 për qind) dhe Lozovë (77,85 përqind), ndërsa më e ulëta ishte në Kumanovë (35,70 përqind) dhe Shuto Orizare (32,03 për qind).

Për kryetar të Shkupit, jehona në rrethin e dytë ishte 35,33 për qind. Nga gjithsej 474.304 votues, kanë votuar 167.575 qytetarë. Jehona më e lartë u regjistrua në Karposh (50,52 pë qind) dhe Qendër (47,59 për qind), ndërsa më e ulëta ishte në Saraj (12,27 përqind) dhe Çair (14,15 përqind).

Historikisht, jehona më e madhe në rrethin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash ishte në vitin 2013 – 67 përqind. Më pas, ka pasur një rënie të vazhdueshme: 60 përqind në 2017 dhe 50,57 përqind në 2021. Jehona në rrethin e dytë zakonisht është më e ulët se në të parin; më e madhe u regjistrua gjithashtu në 2013 – 65 përqind. Pas saj, ka rënë gradualisht: 52 për qind në 2017, 50,69 përqind në 2021 dhe tani 41,24 përqind.

Në këto zgjedhje, në katër komuna nuk u arrit censusi minimal prej një të tretës së votuesve të regjistruar (Gostivar, Qendër Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçishtë). Në këto zona do të zhvillohet një procedurë e re zgjedhore brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare.

Pjesëmarrja historike në zgjedhjet lokale:

  • 1996 – Zgjedhjet e para pas pavarësisë: 123 komuna + Shkupi; dalja e votuesve: 60% në rrethin e parë, 51% në rrethin e dytë.
  • 2000 – Zgjedhjet e dyta lokale: 123 komuna + Shkupi; dalja: 59% / 53%.
  • 2005 – Zgjedhjet e treta, pas ndryshimit territorial: 84 komuna + Shkupi; dalja: 56,36% / 53,66%.
  • 2009 – Zgjedhjet e katërta: 84 komuna + Shkupi; dalja: 57% / 43%.
  • 2013 – Zgjedhjet e pesta: 80 komuna + Shkupi; dalja: 67% / 65%.
  • 2017 – Zgjedhjet e gjashta: 80 komuna + Shkupi; dalja: 60% / 52%.
  • 2021 – Zgjedhjet e shtata: 80 komuna + Shkupi; dalja: 50,57% / 50,69%.

Numri i kandidatëve për kryetarë ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme me vite: nga 683 kandidatë në vitin 1996, deri në 257 kandidatë në vitin 2017 dhe 309 në zgjedhjet e fundit të vitit 2025. Përfaqësimi gjinor në zgjedhjet e vitit 2021 tregoi se 91,64% e kandidatëve për kryetar ishin burra dhe 8,36% gra, ndërsa për anëtarë të këshillave komunale, 55% ishin burra dhe 45% gra.

Më 2 nëntor u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.