Ja se si Hamasi po përdor kriptomonedhën për të mbledhur fonde

Irani është shfaqur si një nga mbështetësit financiarë më bujarë të Hamasit, duke i ofruar grupit militant burime të ardhurash që i nevojiten për të kryer akte terrorizmi, raporton EN. Përveç kësaj, hetuesit në SHBA dhe në mbarë globin kanë identifikuar një burim të ardhurash që shfrytëzohet nga Hamasi: donatorët e largët në internet që ofrojnë mbështetje në kriptomonedha.

Edhe përpara se Hamasi të niste sulmin e befasishëm ndaj Izraelit gjatë fundjavës, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë në Uashington kishin ndjekur një hetim penal për përdorimin e kriptomonedhës nga grupi militant përmes pastruesve të dyshuar të parave, shkruan CNN.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë kanë publikuar pak nga detajet e çështjes së pastrimit të parave dhe ato që janë publike zbulojnë se rrjedhin nga llogaritë e kriptomonedhave të lidhura me Hamasin që qeveria amerikane sekuestroi tre vjet më parë.

Më vete, adresat e kriptomonedhave që Izraeli ka konfiskuar për lidhje të dyshuara me Hamasin dhe një grup tjetër militant palestinez kanë pasur vlerë kolektive dhjetëra milionë dollarë, sipas analistëve privatë që folën për CNN.

Përdorimi i monedhës digjitale nga Hamasi përfaqëson vetëm një nga mënyrat e shumta që grupi – i cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka kërkuar të mbledhë fonde duke iu shmangur sanksioneve.