Ja librat që Shtëpia Botuese “Shkupi” botoi gjatë vitit 2023

Portalbi ka planifikuar të sjellë për ju botimet e shtëpive botuese të Maqedonisë së Veriut. Përditësohuni me botën letrare, pavarësisht shijeve tuaja. Sot ju sjellim botimet e Shtëpisë Botuese “Shkupi ” të cilët festojnë dhe 30 vjetorin e veprimtarisë në fushën e botimeve.

''Shkup'' - 30 vjet frymë letrare
”Shkup” – 30 vjet frymë letrare

Shtëpitë botuese secilin vit realizojnë planifikimet e tyre vjetore, libra të cilët dalin në dritë, por që ne nuk u kushtojmë vëmendje. Të botosh një libër, nuk është punë e lehtë e aq më pak të drejtosh një shtëpi botuese. Ndaj, kujdesin më të vogël me të cilin ne mund t’i shpërblejmë shtëpitë botuese është, që tu kushtojmë pakëz vëmendje se çka kanë botuar, ç ‘thonë ato libra, ose të tjerët për to. Kështu, mbase dhe më lehtë arrijmë të pasurohemi me dije të reja dhe të pasurojmë dhe raftet tona, duke i kërkuar në libraritë e qytetit.

Shtëpia Botuese “Shkupi” për sivjet ka botuar këto tituj si më poshtë:

Kopertina
Kopertina

Osamu Dazai “Jo më njeri” (Përkthyer nga Luan Morina)

Osamu Dazai (1909-1948) emri në origjinal: 太宰治,  emri i vërtetë: Shūji Tsushima, është autor japonez i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të shquar të Japonisë së shekullit 20-të. Veprat e tij më të njohura, si “Shayō” (“Dielli që perëndon”) dhe “Ningen Shikkaku” (“Jo më njeri”), konsiderohen si kryevepra të letërsisë klasike japoneze. Me një stil gjysmë-autobiografik dhe transparencë të jetës së tij personale, tregimet e Dazait kanë intriguar kureshtjen e shumë lexuesve. Librat e tij sjellin ndërgjegjësimin për një sërë temash të rëndësishme: natyra njerëzore, sëmundjet mendore, marrëdhëniet shoqërore sidomos në Japoninë e pas Luftës së Dytë Botërore. Në periudhën e pasluftës, Dazai arriti kulmin e popullaritetit të tij. Ai përshkroi një jetë të shthurur në Tokion e pasluftës në librin “Viyon no Tsuma” (ヴィヨンの妻, “Gruaja e Villonit”, 1947), duke përshkruar gruan e një poeti që e kishte braktisur dhe vullnetin e saj të vazhdueshëm për të jetuar në vështirësitë e jetës. Në vitin 1946, Osamu Dazai publikoi një pjesë letrare të diskutueshme të titulluar: “Kuno no Nenkan” (“Almanaku i dhimbjes”), një kujtim politik i vetë Dazait.

Ai përshkruan pasojat e humbjes së Luftës së Dytë Botërore dhe shpreh atë se si u ndjenë japonezët pas disfatës së vendit. Dazai ripohon besnikërinë e tij ndaj perandorit japonez Perandorit Hirohito dhe djalit të tij Akihito. Dazai ishte një komunist i njohur gjatë gjithë karrierës së tij, dhe gjithashtu shpreh bindjet e tij përmes librit të titulluar “Almanaku i dhimbjes”.

Zhang Guixing  “Shtegtimi i derrave të egër” (Përkthyer nga Vedat Rexhepi)

Zhang Gui Xing (1956), është romancier tajvanez me origjinë malajziane, i cili ka lindur në vitin 1956, në Sarawak (tani Borneo Veriore), Malajzi.

Zhang Guixing u shpërngul në Tajvan në vitin 1976 për të ndjekur studimet në Universitetin Kombëtar të Tajvanit, ku diplomoi si profesor i anglishtes.

Më vonë u punësua në një shkollë të mesme në Taipei për gati dyzet vjet. Gjatë asaj kohe, ai po shkruante një seri romanesh, shumë prej të cilave frymëzimin kryesor e kishin nga vendlindja e tij në Borneo dhe pjesërisht në Tajvan.

Vepra e tij, “Shtegtimi i derrave të egër”, u botua në Tajvan në vitin 2019, pas më shumë se njëzet vjet pune në të dhe u kurorëzua me katër çmimet më prestigjioze letrare tajvaneze: Openbook Award (2018), Taiwan Literature Award (2019), Golden Tripod Award (2019) dhe Taipei Book Fair Award (2019)

Ky është libri i parë që botohet në gjuhën shqipe nga Shtëpia botuese “Shkupi”, e që i takon letërsisë tajvaneze (kineze).

Kopertina
Kopertina

Miro Gavran – “Dëshmitari i vetëm i bukurisë”(Përkthyer nga Agim Avdiu)

MIRO GAVRAN (1961) është një shkrimtar bashkëkohor kroat. Veprat e tij janë përkthyer në tridhjetë e dy gjuhë. Së bashku me përmbledhjen me tregime Njerëz të vegjël të pazakontë, ai shkroi romanet Biri i harruar, Si i thyem këmbët, Klara, Margita ose udhëtimi në jetën e kaluar, Judita, Pagëzori, Pontie Pilati dhe Dëshmitari i vetëm i bukurisë.

Ka marrë njëzet çmime letrare dhe teatrale, mes tyre çmimin CENTRAL EUROPEAN TIME, i cili ndahet për shkrimtarët më të mirë të Evropës Qendrore, dhe Çmimin RRETHI EVROPIAN për afirmimin e vlerave evropiane në tekstet letrare. Deri më tani ai ka pasur më shumë se dyqind premiera teatrale në mbarë botën dhe shfaqjet e tij janë parë nga më shumë se dy milionë njerëz.

“Dëshmitari i vetëm i bukurisë” sjell një histori intriguese dashurie që zhvillohet në një mjedis të njohur të Zagrebit me kërcime të shkurtra në hapësirat e Maltës ekzotike. Personazhi kryesor është një burrë dyzet vjeçar i dashuruar në një grua të re misterioze. Aktorë të pazakontë të ndjeshëm, të copëtuar nga emocionet që shkojnë përtej tyre, përpiqen që t’i shpëtojnë copëzat e intimitetit të tyre. Duke luajtur me të vërtetat dhe gënjeshtrat, ky roman luan edhe me këndvështrime të ndryshme narrative, duke ofruar një kënaqësi të paharrueshme leximi.

Kopertina
Kopertina

Moa Herngren “Shkurorëzimi” (Përkthyer nga Sokol Demaku)

Moa Herngren (1969) është autore suedeze e dramave emocionuese dhe të vlerësuara për trajtimin e raporteve familjare dhe bashkëshortore.

Herngren gjithashtu ka një karrierë edhe si gazetare e dalluar, sepse ka qenë redaktore e përgjithshme e revistës “Elle”.

Një kontribut i rëndësishëm në karrierën e saj është edhe krijimi dhe shkrimi për serialin e njohur në Netflix: “Familja Bonus”.

Moa Herngren tashmë dallohet me një aftësi të veçantë për të zbërthyer ngatërrimet komplekse familjare. Padyshim, që ajo është një shkrimtare e përkushtuar në krijimtarinë e saj, si një nga autorët më të vlerësuara suedeze, në arenën ndërkombëtare.

Kopertina
Kopertina

Ia Genberg “Detajet” (Përkthyer nga Sokol Demaku)

Ia Genberg (l. 1967) e filloi karrierën e saj të shkrimit si gazetare, ndërkaq debutoi si autore e librit në vitin 2012 me romanin Sweet Friday. Që atëherë ajo ka shkruar romanin Belated Farewell (2013), përmbledhjen e tregimeve të shkurtra Small Comfort & Four Other Tales About Money (2018) dhe The Details (2022). Të gjitha këto janë vlerësuar shumë nga kritika letrare në Suedi dhe janë shfaqur në krye të listave, si libra më të shitur. Romani i saj i fundit, që po e botojmë edhe në shqip: DETAJET, është fitues i çmimit letrar Winner of the August Prize 2022, në Suedi. Po ashtu ky libër ka qenë i nominuar për shpërblime letrare edhe në disa çmime të tjera që jepen në Suedi. Libri “Detajet” nga lexuesit dhe kritikët letrar suedez është pritur me një admirim të jashtëzakonshëm dhe gjatë tërë vitit 2022 është renditur si një nga veprat më të kërkuara në Suedi.

Kopertina
Kopertina

Defne Suman “Sofra e mëngjesit” (Përkthyer nga Feleknaze Rexhepi – Bajram)

Defne Suman, ka lindur në Stamboll në vitin 1974. Ka mbaruar magjistraturën dhe doktoratën në Degën e sociologjisë në Universitetin Bogaziçi. Shkrimi i titulluar “Feminizmi, Islami dhe Shoqëria” që ishte pjesë e tezës së saj të doktoratës u botua në librin “Fytyrat e reja shoqërore të islamit”. Blogu “Halle njerëzore” që e hapi në vitin 2007, u shndërrua në një ueb faqe që vizitohet shumë nga shtetasit turq por edhe ata botëror. Mavi Orman ( Pylli i kaltër) që ishte përmbledhje e shënimeve nga shëtitjet e saja dhe u botua në vitin 2011 ( Dogan Novus, 2018), kurse romani i saj i parë Saklambaç ( Symbyllur ) u botua në vitin 2014-të. Emanet Zaman ( Kohë amaneti ) (2016) dhe Yaz sıcağı (Vapë vere) (2017) u botuan nga Dogan Kitap në gjuhën turke, kurse në gjuhën greke nga shtëpia botuese Psihogios. Ende jeton në relacion Athinë – Stamboll dhe vazhdon të shkruan shkrime dhe romane që hulumtojnë psikologjinë e njeriut bashkëkohor.

Kopertina
Kopertina

Selim Ileri “Kafazi” (Përkthyer nga Luan Morina)

SELIM İLERI, lindi në vitin 1949 në Stamboll. Në moshën 19 vjeçare botoi librin e parë me tregime Cumartesi Yalnızlığı. Studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Stambollit i la në gjysmë në vitin 1972. Në vitin 1976, me veprën Dostukların Son Günü, fitoi çmimin Dhurata e Faikut për Tregime, e në vitin 1977 me Her Gece Bodrum, fitoi Çmimin për Romanin nga Komiteti i Gjuhës Turke. Romanet dhe tregimet e tij në rrethin letrar patën jehonë të madhe. Yaşarken ve Ölürken(1981), nga revista Milliyet Sanat u zgjodh romani i vitit. Me skenarin Kırık Bir Aşk Hikâyesi, nga Skenaristët e Kinemave, në sezonin 1982-1983 mori çmimin për skenarin më të mirë. Me këtë vepër, Mavi Kanatlarınla Yalnız Benim Olsaydın (1991), nga Unioni i Shkrimtarëve Turk mori çmimin për Romanin më të Mirë. Me shfaqjen Allahasmarladık Cumhuriyet, mori të dy çmimet – Afife Jale dhe Avni Dilligil. Veprimtarisë së İlerit, në vitin 1999, nga Komuniteti i Gazetarëve të Turqisë, në kategorinëe veprave televizive, iu nda Çmimi për KulturëArt. Për punët në radio, në të njëjtin vit mori Çmimi Dialog Medya. Në vitin 2001, botoi veprën BuYaz, Ayrılığınİlk Yazı Olacak, dhe në vitin 2002 mori çmimin Dhurata e Orhan Kemalit për Romane. Selimİleri, gjithashtu me librin e vitit 2003, Uzak, Hep Uzak, mori Çmimin Letrar Sedat Simavi, e në vitin 2005 me İstanbul’un Sandık Odası nga Unioni i Shkrimtarëve Turk mori çmimin për Aventurë – Kujtimesh.

Kopertina
Kopertina

Ayfer Tunç “Tregime nga vendlindja” (Përkthyer nga Muharem Mexhiti)

AYFER TUNÇ ka lindur në vitin 1964. Ka studiuar shkencat politike. Gjatë studimeve filloi të shkruante artikuj për revista të ndryshme letrare dhe kulturore. Është marrë edhe me botime dhe gazetari. Skenarin që përgatiti nga tregimet e Sait Faikut, Re në ajër, është filmuar nga TRT. Ajo ka përshtatur për kinema romanin e Orhan Kemalit Qelia nr. 72. Shkruan libra të zhanreve të ndryshme si romane, tregime, ngjarje nga jeta dhe hulumtime. Nga veprimtaria e saj veçojmë: Guri-Gërshërët-Letra (2003), Ngjarja e Aziz Beut (2000), Ata e quajnë jetë (2007), Nëse nuk ju pengon nëna ime do të vijë te ju (2001), Evvelotel (2006), Një histori e shkurtër, e treguar në mënyrë të rreme për një shtëpi të të çmendurve (2009), Nata e gjelbër e zanave (2010), Fletorja e Suzanës (2011).

Kopertina
Kopertina

Lise Villadsen “Mos u rrëzo, mos u fundos, mos vdis” (Përkthyer nga Sokol Demaku)

Lise Villadsen (1985) është shkrimtare e njohur daneze, e cila pas një serie romanesh elektrizuese për të rinjtë, ajo është e përqendruar rreth dinamikave komplekse të familjes dhe çështjeve të shëndetit mendor të të rinjve. Villadsen filloi të shkruante romane në moshën 14-vjeçare, duke bërë debutimin e saj shumë vonë, në vitin 2018. Megjithatë, vepra e saj “Kvantespring“ (që në botimin anglisht dhe shqip është me titull: “Mos u rrëzo, mos u fundos, mos vdis!” ) në vitin 2021 fitoi dy shpërblime letrare: “Horsens Posten’s Book of the Year Award” dhe “Shortlisted for the Mofibo Awards”, të dy shpërblimet janë nga Danimarka.

Kopertina
Kopertina

Annette Bjergfeldt “Kënga e bukur nga palermoveji” (Kur jeta të jep hipopotam) (Përkthyer nga Sokol Demaku)

Annette Bjergfeldt (l. 1961) është një krijuese virtuoze daneze. Përveç shkrimit të trillimeve më të shitura, ajo është një këngëtare e nominuar për Grammy, me gjashtë albume nën brezin e saj, një piktore koloriste dhe një tekste shkruese e njohur për shkrimin e këngëve.

Ajo shpesh mban seanca shkrimi këngësh në burgjet lokale, e sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara. Shkathtësia e saj për të treguar histori jetësore u kultivua kur ajo udhëtoi në SHBA, madje për katër vjet argëtoi turmat me përralla nëpërmjet këngëve të saja. Tani, dhuntia e saj muzikore shkëlqen në prozën e saj melodike dhe lirike. Debutimi i saj i mirënjohur me librin “Højsangen fra Palermovej” ka marrë jehonë edhe tek lexuesit, por edhe në mesin e kritikëve letrar. Kjo sagë magjepse familjare me elemente të realitetit magjik, e vendosur në sfondin e skenës kulturore të Evropës së shekullit të 20-të, është një shprehje e zjarrtë e dashurisë për artin dhe muzikën.

Kopertina
Kopertina

Misteret e tokës, hënës dhe njerëzimit” (Përgatititi: Shefki Ollomani)

Ky libër është shumë kontradiktor. Në të ka të vërteta dhe të pavërteta, parashikime dhe spekulime, fakte dhe antifakte, shkencë dhe antishkencë, religjion dhe ateizëm, besim dhe mosbesim… Në të janë të gërshetuara realiteti me jo realitetin dhe përmban të dy anët e medaljes – të vërtetën dhe gënjeshtrën, të bardhën dhe të zezën. Autori thotë se është i vetëdijshëm që materialet që do hasni në këtë libër do të jenë jo vetëm shumë të pabesueshme e tronditëse për ju, por edhe shumë larg imagjinatës suaj të deritanishme. Por, duke e lënë në duart tuaja si vlerësim, ju kërkoj që çdo gjë ta shikoni me sy analitik dhe mendje të hapur. Nëse ky libër, pas leximit të tij, do t’ju bëjë që të zgjoheni, të kthjelloheni, të shihni pak më larg, të shihni më lartë e më thellë, nëse do t’ju bëjë që ”ta vritni” mendjen, që të mendoni e të analizoni, qoftë edhe për disa minuta, atëherë qëllimi i këtij Libri është arritur. Dhe si thotë përgatitësi i këtij libri: mos harroni shprehjen e famshme të Nikolla Teslla-s: E vërteta shpesh është me e pabesueshme se fantastikja.