Izraeli liroi 39 të burgosur palestinezë, gra dhe fëmijë, si pjesë e marrëveshjes me Hamasin

Autoritetet izraelite liruan 39 të burgosur palestinezë si pjesë e një marrëveshje shkëmbimi me Hamasin. Korrespondenti i Anadolu-t në Bregun Perëndimor tha se grupi i parë i 39 të burgosurve palestinezë u lirua nga burgu izraelit Ofer, në perëndim të Ramallah.

Izraeli liroi 39 palestinezë, duke përfshirë 24 gra dhe 15 fëmijë.

Sipas marrëveshjes për pauzën humanitare katërditore në Gaza, pritet që 50 izraelitë të mbajtur nga Hamasi të lirohen në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Pauza humanitare katër-ditore midis ushtrisë izraelite dhe grupit palestinez Hamas hyri në fuqi këtë mëngjes në të gjitha zonat e Rripit të Gazës, duke ndaluar përkohësisht sulmet për të mundësuar shkëmbimin e të burgosurve dhe kalimin e ndihmës humanitare.

Sipas marrëveshjes Izrael-Hamas, të burgosurit do të lirohen në grupe për një periudhë prej 4 ditësh.

Ministria e Jashtme e Katarit, vend i cili ishte pjesë e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes, tha se Hamasi liroi 24 persona, duke përshirë izraelitë dhe të huaj, në këmbim të lirimit të 39 palestinezëve nga burgjet izraelite, në grupin e parë të shkëmbimit.

“Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka pritur 24 civilë që përfshijnë disa gra dhe fëmijë, sipas marrëveshjes së armëpushimit humanitar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari në X.

“Të liruarit përfshijnë 13 shtetas izraelitë, disa prej të cilëve kanë shtetësi të dyfishtë, si dhe 10 shtetas tajlandez dhe një shtetasi filipinas”, tha Al-Ansari.

Izraeli vlerëson se të paktën 239 izraelitë mbahen nga Hamasi pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez më 7 tetor.

Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14.854, tha dje Zyra e Qeverisë për media në enklavën e bllokuar.

Në mesin e të vrarëve janë 6.150 fëmijë dhe mbi 4 mijë gra, ndërsa më shumë se 36 mijë njerëz janë plagosur.

Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1200.