Izraeli dhe Irani në mbrëmje vazhduan sulmet ndaj njëri-tjetrit

Izraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet ndaj njëri-tjetrit mbrëmje e së premtes, me Izraelin që ka sulmuar objekte bërthamore dhe qytete iraniane dhe me Iranin që ka nisur raketa balistike ndaj armikut të tij të përbetuar, raporton Radio Evropa e Lirë.

Mediat iraniane thanë se Teherani ka nisur qindra raketa balistike drejt Izraelit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive ajrore izraelite.

Ushtria izraelite tha se sulmi iranian po vazhdon, duke thënë se Teherani ka nisur drejt Izraelit dhjetëra raketa.

“Civilët izraelitë aktualisht janë duke u shënjestruar nga regjimi iranian. Bota nuk mund të rri e heshtur”, shkroi ushtria izraelite në X.

Sulmet iraniane drejt Izraelit vijnë pasi ky i fundit kreu valën e dytë të sulmeve gjatë së premtes, duke shënjestruar Teheranin, Komin dhe Karaxhin.

Uzina për pasurimin e uraniumit Fordov gjendet në periferi të Komit, por ende nuk ka konfirmim nëse kjo ndërtesë bërthamore është sulmuar, tha televizioni izraelit, Channel 13.

Sipas reporterëve izraelitë, qëllimi është që të vazhdohen sulmet ndaj bazave ushtarake iraniane, në mënyrë që të shkatërrohen raketat dhe që Iranit të privohet nga çdo aftësi ushtarake për një kundërsulm ndaj Izraelit.

Izraeli nisi sulmet mëngjesin e së premtes, duke shënjestruar objektet bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin, duke i vrarë gjeneralë e zyrtarë të lartë ushtarakë, dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme.

Irani u përgjigj valës së parë të sulmeve, duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.

Ndër objektet e goditura në valën e parë të sulmeve në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.