Kandidatët për rektor në debat: UKM-së i nevojitet kuadër i ri dhe projekte ndërkombëtare
Kandidatët për rektor të ri të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Goran Ajdinski, Ratko Duev, Atanas Koçov, Hristina Spasevska dhe Dimitar Tashkovski dje pasdite debatuan dhe prezantuan pikat më të rëndësishme të programeve të tyre. Në forum nuk mori pjesë vetëm kandidatja Biljana Angelova, prorektore aktuale për financa e UKM-së nga Instituti Ekonomik, transmeton Portalb.mk.
Tribuna u organizua nga Sindikata e pavarur akademike. Pesë kandidatët për rektor më së shumti iu referuan problemeve që universiteti ka nevojë për staf të ri, projekte ndërkombëtare dhe paga më të larta.
Goran Ajdinski, profesor në Fakultetin Filozofik, tha se para se të fillojë punën ndonjë rektor, duhet të shkatërrohet një devijim i madh në UKIM, e ai është kulti i personalitetit të rektorit.
“Klientelizmi është në nivelin më të lartë të mundshëm për momentin në UKM. Rektori dhe rektorati duhet të jenë shërbim për fakultetet dhe njësitë, ndërsa tani është e kundërta dhe ky është problem i madh”, tha Ajdinski.
Ai iu referua tre problemeve, ku i pari është punësimi i stafit të ri akademik, asistentëve të rinj, studiuesve të rinj, të cilët duhet të shkruajnë dhe të krijojnë.
“Aktualisht, shumë fakultete nuk kanë asistentë fare, është fatkeqësi”, tha Ajdinski.
Më tej ai iu referua pagave dhe tha se në të ardhmen shpreson që të ketë ngritje.
“Situata është disi dramatike, shteti duhet të ndajë mjete për kërkime shkencore, e jo fakultetet që sigurisht janë në gjendje të keqe dhe duhet t’i mbulojnë ato shpenzime nga mjetet e tyre”, thotë Ajdinski.
Plani i tij, nëse bëhet rektor i UKM-së, është që të formojë një trup projektues që do t’i përgjigjet rektorit, ndërsa koordinator do të jetë një nga profesorët e UKM-së. Në këtë organ, Ajdinski planifikon të ketë punonjës që dinë dhe janë të trajnuar për të shkruar dhe aplikuar në projekte ndërkombëtare.
Kandidati për rektor Ratko Duev, dekan aktual i Fakultetit Filozofik, prezantoi shkurt programin e tij.
Ata nuk mund t’i dinë të gjitha fushat nga Rektorati, por Rektorati duhet të rritet në gjakun e UKM-së”, tha ai.
Në fjalën e tij ai iu referua burimeve njerëzore dhe pagave.
“Jemi bërë apatikë, jemi bërë jo tërheqës, kemi arritur në pikën që askush nuk aplikon nëpër shpalle. Për më tepër, në aspektin financiar, 85 për qind e të ardhurave tona janë nga studentët. Ndërsa numri i studentëve, sipas të gjithë treguesve, nuk do të rritet, ndaj nga këtu jemi duke u përballur me një problem. Prandaj duhet të shfrytëzohen sa më shumë fondet e huaja, të sigurohen pajisje moderne”, tha Duev.
Kandidati për rektor, Atanas Koçov, nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, gjatë fjalës së tij, ka qëndruar në mesin e të pranishmëve dhe ka thënë se kjo do të jetë puna e tij si rektor – i pranishëm mes njerëzve, punëtorëve, studentëve.
Ai tha se me ekipin e tij ka përgatitur një Strategji për zhvillimin e UKM-së në 10 vitet e ardhshme, diçka që e kërkon edhe Bashkimi Evropian nga ne, si shtet.
Sipas Koçov, UKM ka nevojë për një lider dhe për këtë duhet punë ekipore, pra me të gjithë të punësuarit. Ai tha se UKM-ja nuk ka qenë asnjëherë në nivel kaq të ulët, “i rënë në gjunjë”, 27 ministra të arsimit e kanë poshtëruar vit pas viti, dhe padrejtësisht e kanë futur në të njëjtin shportë me 33 shkolla të larta të akredituara.
“Nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, vetëm 2.2 për qind janë ndarë për UKM-në. Ndryshe nga UKM, “Nënë Tereza” ka marrë 17 për qind. Edhe Shtipi ka më shumë përqindje të marra për dallim nga ne. Kjo do të thotë se shteti nuk kujdeset, dhe UKM është më i vjetri, më i miri, më cilësor dhe duhet të jetë strumbullar, është thesari shkencor dhe kulturor i Maqedonisë dhe nuk ka asnjë kuadër në universitetet e tjera që nuk ka dalë nga UKIM”, tha Koçov.
Hristina Spasevska, prorektore për mësimdhënie nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative (FETI), tha se ajo që duhet bërë fillimisht është zbatimi i plotë i Ligjit për arsimin e lartë, e më pas ndryshimi i tij në segmentet kyçe.
“Ligji proklamonte autonominë e UKM-së dhe të profesorëve dhe ne qëndruam në nivelin e autonomisë ndaj shtetit dhe nuk zbritëm fare për të siguruar autonominë e çdo mësuesi dhe studenti. Dëgjuam se si i druheshin rektorit të kohës. Rektori nuk duhet të jetë personi i katërt në shtet, UKM duhet të jetë institucioni i katërt në vend, sepse UKM prodhon kuadro më cilësore”, tha Spasevska.
Ajo tha se para së gjithash duhet të futen mekanizma transparentë dhe të hapur në çdo aspekt, veçanërisht në financim, në mënyrë që çdo profesor nga UKM të dijë se çfarë po ndodh me buxhetin dhe ku shkojnë paratë. Më tej, Spasevska konsideron se duhet të hiqen të gjitha të drejtat diskrecionale të rektorit dhe prorektorëve, veçanërisht të prorektorit për financa.
Si problem i dytë, ajo vuri në dukje se që nga ekzistenca e tij, shteti nuk ka futur merit-sistem real se sa kushton arsimi i lartë, pra një program studimi, ndaj mendon se duhet ngritur një sistem i përshtatshëm financimi.
“Shtylla e tretë e programit tim është se UKM po plaket. Nuk kemi asistentë të mjaftueshëm dhe studentët tanë janë shumë pak të përfshirë në programin kërkimor. Prandaj duhen projekte ndërkombëtare”, tha Spasevska.
Dimitar Tashkovski, dekan i Fakultetit të Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative (FETI), tha se do të avokojë për programe moderne studimore sipas standardeve evropiane.
“UKM është në një pikë të ulët dhe ne duhet të kapim trenin e fundit për t’iu bashkuar hapësirës arsimore evropiane,” tha Tashkovski.
Për të pasur arsim të lartë cilësor, tha Tashkovski, do të përcaktohen kritere/standarde për akreditimin e secilit program studimor, siç janë profesorët më të mirë, mësimi praktik, mësimi elektronik.
Ndër prioritetet në programin e tij është themelimi i Fondit për Shkencë dhe Zhvillim, sepse, siç tha ai, puna kërkimore-shkencore është kyçe për dukshmërinë e UKM-së dhe se 80 për qind e të gjitha inovacioneve në botë vijnë nga arsimi i lartë.
Votimi për rektorin e ri të universitetit më të vjetër në vend “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) është caktuar për datën 30 maj, nga ora 14-16, në të 23 fakultetet dhe 5 institutet.
Të drejtë vote kanë rreth 1500 zgjedhës, të zgjedhur në titullin profesor asistent, profesor me kohë të plotë dhe të pjesshme, si dhe studentë që bëjnë pjesë në këshillat mësimore-shkencore të fakulteteve. Rivotimi eventual është caktuar për 9 qershor.