IShP u bëri thirrje prindërve që të mos e shtyjnë vaksinimin me MRP
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u bën apel të gjithë prindërve dhe qytetarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit dhe të plotësojnë dozat e MRP-së që kanë lënë pa marrë. Kjo vaksinë mbron nga fruthi, rubeola dhe shytat. Apeli vjen për shkak të mbulimit të pamjaftueshëm me vaksinim në vend, si dhe rasteve të regjistruara të fruthit në disa nga shtetet fqinje, transmeton Portalb.mk.
Nga ISHP paralajmërojnë se situata aktuale epidemiologjike në rajon kërkon kujdes të shtuar dhe marrjen në kohë të masave parandaluese për të shmangur përhapjen e mundshme të sëmundjes.
“Vaksinimi është masa më efektive për mbrojtjen nga fruthi dhe parandalimin e përhapjes së tij në komunitet. Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët t’i marrin të dyja dozat e vaksinës MRP, në përputhje me kalendarin e imunizimit, ndërsa personat që kanë lënë pa marrë vaksinën duhet të kontrollojnë statusin e tyre të vaksinimit dhe të plotësojnë dozën e munguar”, thuhet në apelin e ISHP-së.
Nga ky institucion u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e shtyjnë vaksinimin dhe t’i drejtohen pikës më të afërt të vaksinimit, ku mund të marrin informacione për statusin e tyre të vaksinimit dhe të marrin dozën e munguar.
ISHP-ja rikujton se fruthi është një nga sëmundjet virale më ngjitëse, që transmetohet lehtësisht nga një person te tjetri. Virusi përhapet përmes ajrit, nëpërmjet grimcave që personi i infektuar lëshon gjatë frymëmarrjes, të folurit, kollitjes ose teshtitjes. Ai mund të qëndrojë në ajër deri në dy orë pasi personi i infektuar është larguar nga ambienti, që do të thotë se infeksioni mund të transmetohet edhe pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personin e sëmurë.
Rrezik shtesë paraqet fakti se personi i infektuar mund ta transmetojë virusin edhe para shfaqjes së simptomave të dukshme. Periudha e ngjitshmërisë fillon rreth katër ditë para shfaqjes së skuqjes karakteristike në lëkurë dhe vazhdon edhe katër ditë pas shfaqjes së saj.
Simptomat e para të fruthit zakonisht përfshijnë temperaturë të lartë, plogështi, kollë, rrjedhje të hundëve dhe inflamacion të syve. Te disa të sëmurë shfaqen edhe të ashtuquajturat njolla të Koplikut, të cilat janë ndryshime të vogla të bardha në mukozën e gojës. Më pas shfaqet skuqja karakteristike në lëkurë, e cila zakonisht fillon në fytyrë dhe gradualisht përhapet në trup dhe gjymtyrë. Skuqja zakonisht zgjat pesë deri në gjashtë ditë.
Periudha e inkubacionit, përkatësisht koha nga ekspozimi ndaj virusit deri në shfaqjen e simptomave të para, zakonisht zgjat rreth 11 deri në 12 ditë, ndërsa skuqja zakonisht shfaqet rreth 14 ditë pas ekspozimit. Nga ISHP theksojnë se personat që nuk kanë imunitet, veçanërisht ata të pavaksinuar, janë në rrezik të lartë të infektohen në rast kontakti me një person të sëmurë.
“Është i rëndësishëm mbrojtja e çdo fëmije. Me vaksinimin në kohë mbrojmë jo vetëm shëndetin tonë dhe të njerëzve tanë të afërt, por edhe të gjithë komunitetit”, theksojnë nga ISHP.