ISHP: Fikni kondicionerë për të parandaluar hyrjen e tymit, vendosni maska jashtë

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka nxjerrë sërë rekomandimesh për qytetarët në zonat ku ka zjarr dhe tym. Nga aty porosisin të fiken kondicionerët dhe ventilimi që sjell ajrin e jashtëm pasi shumë zona të populluara në të gjithë vendin u përfshinë nga tymi, transmeton Portalb.mk. 

“Ndiqni njoftimet nga shërbimet kompetente përmes mjeteve informative ose aplikacioneve në celular. Ndiqni të gjitha urdhrat për evakuim ose strehim në vend. Kufizoni ekspozimin ndaj tymit. Dritaret dhe dyert mbani mbyllur. Fikni kondicionerët dhe aparatet për ventilim gjatë punës së së cilëve ajri i mjedisit të jashtëm depërton në mjediset e brendshme. Strehohuni në një vend të sigurt. Qëndroni në një mjedis të mbyllur me sa më pak hapje nga jashtë. Mbyllni çarjet rreth dritareve dhe dyerve me lecka të lagura ose me shirit ngjitës. Përdorni pajisje adekuate për mbrojtje Nëse e keni të domosdoshme të dilni jashtë, përdorni një maskë që i filtron grimcat. Mbrojtje më efikase mundësojnë maskat me filtër të tipit FFP2, FFP3, N95 ose maskat speciale me filtra për gazra organikë dhe inorganikë. Nëse nuk keni maskë profesionale, atëherë gjatë evakuimit mbuloni hundën dhe gojën me një leckë ose peshqir të lagur (kjo është vetëm mbrojtje e përkohshme dhe e kufizuar), thuhet në njoftimin e ISHP-së. 

Fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, shkruan tutje në rekomandimet e ISHP, duhet të qëndrojnë në mjediset më të mbrojtura. 

“Nëse shfaqen simptoma (vështirësi në frymëmarrje, kollë, marramendje), kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Përgatitni një çantë me dokumentet tuaja më të rëndësishme, barnat, ujin, ushqimin dhe pajisjet mbrojtëse personale. Mësoni rrugët më të shkurtra dhe më të sigurta të evakuimit. Nëse dikush ka simptoma të helmimit nga tymi, nxirreni në ajër të pastër dhe kërkoni ndihmë mjekësore. Qëndroni në kontakt me familjen dhe fqinjët, sidomos me njerëzit më të cenueshëm. Njoftoni autoritetet për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë”, përfundon letra e ISHP me rekomandime.   

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë informuar se ka zjarre aktive ka në vendet në vijim: Komuna Çuçer Sandevë: Kisha Shën Nikita (vegjetacion i ulët); Komuna Shuto Orizare, Vizbeg – deponia ende është aktive; Zjarri afër Stankovecit, drejt pompës së benzinës “Dizel”; Komuna Gjorçe Petrov, Volkovë (vegjetacion i ulët); Komuna Petrovec, Katllanovë (bar i thatë).

Për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve, Qeveria dje miratoi një vendim në një seancë me të cilin shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh.