Mostrat për analizë të 27-vjeçarit që vdiq në Kosovë, Agon Zejnullahu, janë dërguar në Maqedoninë e Veriut
Tëvë1 mëson nga burimet se mostrat janë dërguar jashtë shtetit si shkak i mosfunksionimit të laboratorit të Toksikologjisë në IML, për shkak se i njëjti është i dëmtuar qysh prej kohës kur është kapluar nga zjarri.
Nga mostrat pritet të përcaktohet nëse Zejnullahu a ka qenë nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike në mbrëmjen e 7 korrikut.
Zejnullahu ka vdekur në orët e para të datës 7 korrik, në Lipjan.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës u tha se Zejnullahu dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga zyrtarët policorë.
Pas rastit, Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur arrestimin e pesë zyrtarëve të përfshirë në rast, derisa autoritetet po vazhdojnë hetimet.
Sipas pamjeve që janë shpërndarë media dhe rrjete sociale, i ndjeri shihet me duar të lidhura.
Reagon IML-ja- Laboratori i Toksikologjisë jashtë funksionit shkaku i renovimit
Instituti për Mjekësinë Ligjore (IML) përmes një reagimi ka bërë të ditur se Laboratori i Toksikologjisë në IML është jashtë funksionit për shkak të procesit të renovimit në te gjitha hapësirat e brendshme të objektit të IML-së, përfshirë dhe hapësiren e Laboratoreve.
Siç thuhet në njoftim, menjëhere pas përfundimit të këtij procesi në shtator, do të bëhet servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve dhe aparaturave laboratorike, në mënyrë që të sigurohet analizimi i mostrave sipas standardeve të kerkuara.
“Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhet në njoftim.