Ish-drejtori i burgut të Shutkës, Filip Andonov-Sokol, u dënua me tetë muaj burg, ndërsa policët e akuzuar morën dënime me kusht

Ish-drejtori i burgut të Shkupit dhe anëtari aktual i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së opozitare, Filip Andonov-Sokol, është shpallur fajtor dhe është dënuar me tetë muaj burg në gjyqin që u zhvillua kundër tij dhe gjashtë policëve të tjerë të burgut për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, njoftoi sot Gjykata Themelore Penale në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Vendimi u shpall dje, dhe sipas një deklarate nga Gjykata Penale, Andonov është i vetmi nga të pandehurit i dënuar me burg, ndërsa gjashtë policëve të tjerë të policisë së burgut iu dhanë masa alternative – dënime me burg me kusht që nuk do të zbatohen nëse nuk kryejnë një vepër të re në një, gjegjësisht tre vitet e ardhshme.

Gjykata thotë se gjatë marrjes së vendimit dhe përcaktimit të dënimeve, janë marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese në lidhje me të pandehurit.

“Gjykata e dënoi të pandehurin F. A. (Filip Andonov – Sokol) me tetë muaj burg për veprën penale të shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1 në lidhje me nenin 45 dhe nenin 22 të Kodit Penal (KP)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup.

Sipas tij, të pandehurit P. A. dhe E. O. u dënuan me dënim me kusht prej gjashtë muajsh burg, i cili nuk do të zbatohet nëse nuk kryejnë vepër tjetër në dy vitet e ardhshme nga data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Dënim me kusht prej tetë muajsh burg iu shqiptua të pandehurit T. N., i cili, përveç shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, u gjykua edhe për punë të pakujdesshme në shërbim. Ai nuk do të shkojë në burg nëse nuk kryen vepër tjetër në tre vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër, të pandehurit Gj. R. dhe S. P. u dënuan me tre muaj dënim me kusht, të cilat nuk do të zbatohen me kusht që të mos hasin në përplasje me ligjin gjatë vitit të ardhshëm nga data e plotfuqishmërisë së vendimit.

I pandehuri K. V., i cili u dënua për punë të pakujdesshme në shërbim, mori dënim me kusht prej tre muajsh burgim, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër në vitin e ardhshëm.

Siç shtoi Gjykata Penale, vendimi i shpallur nuk është i formës së prerë dhe palët, përkatësisht Prokuroria dhe të pandehurit, kanë të drejtë ta ankimojnë atë në Gjykatën e Apelit në Shkup.

Përndryshe, vendimi me të cilin ish-drejtori i burgut të Shutkës u dënua me tetë muaj burg ishte rast për korrespondencë dhe akuza të ndërsjella midis Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) në opozitë dhe VMRO-DPMNE në pushtet.

LSDM akuzoi qeverinë aktuale për kryerjen e shtypjes së drejtpërdrejtë kundër zyrtarëve të partisë opozitare përmes “vendimeve të urdhëruara gjyqësore”.

Sipas socialdemokratëve, koalicioni VMRO-ZNAM ka aktivizuar fazën e fundit të fushatës së tij, e cila, sipas tyre, përfshin edhe përndjekje politike, dhe provë për këtë është vendimi kundër Filip Andonov.

“Ata emëruan gjyqtarët dhe prokurorët e tyre. Nuk ka më gjyqësor të pavarur, as prokurori të pavarur. Ata i vunë të gjitha në kthetrat e tyre”, deklaroi LSDM.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE në pushtet i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar, ndër të tjera, se Andonov u emërua anëtar i Bordit Ekzekutiv të partisë opozitare në mënyrë që vendimi kundër tij të paraqitej më vonë si përndjekje politike.

“Që në fillim ishte e qartë se Filip Andonov u vendos në Bordin Ekzekutiv të LSDM-së sepse ata vetë e dinin se ai ishte fajtor, kështu që tani po e shesin si përndjekje politike. SDS është si abetare, të gjithë e kanë lexuar”, reagoi VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se, aktakuza kundër ish-drejtorit dhe policëve të burgut u ngrit më 8 korrik të këtij viti dhe sipas saj, ata akuzoheshin se vitin e kaluar në periudhën mars-korrik kishin kryer me paramendim disa vepra të lidhura me njëra-tjetrën, përkatësisht se u kishin dhënë pesë të dënuarve përfitime që, sipas vendimeve të gjykatës, nuk u takojnë.

“Ata lejuan që të dënuarit të shkonin në shtëpitë e tyre dhe në vende të tjera për nevoja private, në kundërshtim me procedurën për nxjerrjen e personave të privuar nga liria jashtë institucionit”, njoftoi në atë kohë Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK).

Procedura, ose hetimi për rastin, u hap në fund të shkurtit të këtij viti me bastisje në disa lokacione të kryera nga ekipet e Ministrisë së Brendshme në koordinim me PTHP NKOK.

Gjyqi filloi më 20 gusht, por seanca e parë dëgjimore u shty me kërkesë të mbrojtjes në mënyrë që të mund të shqyrtonte provat që mori nga Prokuroria po atë ditë.

Në një deklaratë për median, Andonov tha në atë kohë se në tre vjet e gjysmë si drejtor i burgut të Shkupit, ai nuk kishte shkelur Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve në asnjë rast, si dhe se policia e burgut kishte bërë punën e saj siç duhet dhe se policët ishin akuzuar padrejtësisht.

Në seancën dëgjimore më 2 tetor, Andonov u deklarua i pafajshëm për krimin për të cilin akuzohej, duke deklaruar se ishte e drejta e tij diskrecionare që e kishte përdorur në disa raste.

Përndryshe, një polic tjetër i policisë së burgut u akuzua në këtë rast, por procedura për të ishte e veçantë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.