Iranianët sulmuan Institutin e Statistikave në Shqipëri

Instituti i Statistikave njohur ndryshe si INSTAT ka rënë pre e një sulmi nga hakerat iranianë, raporton Klan. Autorësinë e këtij sulmi e ka marrë sërish ‘Home Land Justice’, grup iranian i cili ka deklaruar në rrjetin social Telegram, se të dhënat e INSTAT tanimë janë në duart e tyre.

Për të analizuar dëmet e shkaktuara nga ky sulm në Institutin e Statistikave zbarkuan këtë të enjte edhe ekspertë të krimit kibernetik.

Ndërkohë vetë INSTAT pati një reagim lidhur me këtë hakerim ku tha se sulmi është regjistruar më 31 Janar dhe se prej tij janë prekur disa sisteme, por jo të dhënat e gjeneruara nga Censusi.

“Nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore”.

Ky nuk është sulmi i parë që hakerat iranianë kryejnë ndaj institucioneve që janë në shërbim të qytetarëve.

Më herët pre e sulmeve të ‘Home Land Justice’ kanë rënë e-Albania, sistemet e Policisë së Shtetit, SHISH si dhe faqja zyrtare e Kuvendit.