Irani kreu një valë të re sulmesh ndaj Izraelit
Irani ka kryer një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit mëngjesin e së hënës, duke nxitur lëshimin e sirenave për sulme ajrore në mbarë shtetin, teksa shërbimet e emergjencës kanë raportuar për të paktën pesë të vrarë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në ditën e katërt të përplasjes mes Iranit dhe Izraelit, në Izrael është raportuar edhe për dhjetëra të plagosur.
Shpërthime të fuqishme, që me gjasë janë shkaktuar nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore që kanë goditur raketat iraniane, u dëgjuan në Tel Aviv pak pas agimit, teksa mbi qytet u panë shtëllunga të mëdha tymi.
Gjatë fundjavës, të dy shtetet përshkallëzuan sulmet, duke rritur frikën se kjo përplasje mund të zgjerohet në një luftë rajonale edhe më të rrezikshme.
Irani ka njoftuar se ka lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse, pas goditjes së infrastrukturës së tij ushtarake dhe bërthamore nga Izraeli.
Që nga e premtja, si pasojë e sulmeve izraelite në Iran, janë vrarë të paktën 224 persona.
Ndërkaq, në Izrael numri i viktimave ka arritur në të paktën 18.