Intervista pa fjalë dhe zvetënimi i qytetërimit

Është e famshme “intervista pa fjalë” e Samuel Beketit, dhënë televizionit suedez më 1969, pak kohë pasi u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi.

Shkrimtari pranoi të jepte një intervistë, por me kusht që të mos i bëhej asnjë pyetje. Ai shfaqet para kamerës pa shqiptuar asnjë fjalë dhe duket si personazh në një film të metrazhit të shkurtër.

Është thënë se “intervista” ishte refuzim ndaj komunikimit të panevojshëm dhe ndaj zhurmës që krijohet për gjëra pa përmbajtje.

Me këtë gjest, Beketi përcolli kumtin se dëshironte të komunikonte me publikun vetëm nëpërmjet librave, pa ndier asnjë detyrim të sqaronte atë që kishte shkruar.  Shkrimtari nuk është avokat i veprës së tij, pavarësisht nëse ajo pranohet, kuptohet ose keqkuptohet.

Sot kemi nevojë të lexojmë heshtjen e atyre që kanë thënë shumëçka nëpërmjet veprave të tyre. Por, në kohën e zhurmës, të turmës dhe të banalitetit shfaqen si protagonistë ata që flasin shumë dhe nuk thonë asgjë. Pikërisht ata komentohen e adhurohen nga turma që adhuron spektaklet.

Jetojmë në qytetërimin e cektësisë dhe të antivlerave, ku dukesh mendjehapur vetëm nëse flet me “gjuhën e re”, siç e quante Oruelli.

Studiuesit thonë se Beketi, nëpërmjet veprave letrare, kritikoi estetikisht zvetënimin e qytetërimit modern, të cilin e shihte si fasadë që maskon ankthin dhe zbrazëtinë ekzistenciale.

Nëpërmjet veprave të tij, veçanërisht “Duke pritur Godonë”, Beketi shkroi për absurdin dhe pritjen e pakuptimtë.

Në veprat dramaturgjike të Beketit thyhet struktura klasike. Skena janë minimaliste, kurse personazhet flasin me klishe, jetojnë në boshësi dhe presin diçka që s’do të vijë kurrë.

Beketi paralajmëroi se njerëzit do të jetonim në një botë pa përmbajtje shpirtërore, ku materialja mbyt shpirtëroren, ku ekzistencialja mbizotëron esencialen, ku mashtrohemi nga mbrothësia e rreme dhe ku sharlatanët flasin për vlera eprore.

Në këtë botë cektësie dukesh i çmendur nëse flet me gjuhën e letërsisë. Prandaj është më mirë të shkruash dhe të mos japësh intervista. Është më mirë, siç tha një poet, t’i flasësh qiellit që mbase të dëgjon.

Këtë atmosferë e ka përshkruar në mënyrë mahnitëse më 1968 edhe Anton Pashku, në tregimin “Kënaqësitë e Megalopolisit”, ku flitet për njeriun e humbur në turmë. Sipas Vehap Shitës, në këtë tregim përshkruhet jeta në një qytet të madh, ku njeriu i mbetur pa zë është vidë e një makine të madhe, që e tërheqin forcat e jashtme.

Shkrimtarët parashikuan kohën që e jetojmë sot, ku nuk vlerësohen ata që heshtin, por ata që bëjnë zhurmë dhe kënaqin turmën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.