Interneti satelitor Starlink i disponueshëm edhe në Shqipëri, njoftoi Elon Musk

Shefi i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, njoftoi ditën e martë përmes një postimi në rrjetin social X se interneti satelitor i Starlink tashmë është i disponueshëm edhe në Shqipëri, transmeton PcWorld.

Deri më sot e gjithë Europa mbulohej nga ky shërbim me përjashtim të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Maqedonia e Veriut ishte i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që mund të përfitonte shërbimin.

Shërbimi i internetit pa limit të Starlink do të kushtojë 6,500 lekë në muaj për Shqipërinë ndërsa pajisjet kushtojnë 42,500 lekë.

Starlink ofron edhe një plan për bizneset të cilët marrin krahas shërbimit standard, edhe shërbim prioritar në rast se kapërcejnë FUP (Fair Use Policy). Shërbimi prioritar kushton 31,320 lekë në muaj me 1TB hapësirë shkarkimi, 62,616 lekë në muaj për 2TB hapësirë shkarkimi dhe 125,220 lekë në muaj për 6TB hapësirë shkarkimi.

Plani dedikuar bizneseve ka mbështetje prioritare, prioritet në rrjet dhe IP publike.

Starlink premton shpejtësi shkarkimi mes 40-220+ Mbps, shpejtësi ngarkimi 8-25+ Mbps dhe vonesa transmetimi prej 25-60ms.

Pajisjet satelitore ofruar nga Starlink janë prej katër kategorive në varësi të performancës së pritshme të sinjalit dhe internetit: StandardStandard ActuatedHigh-Performance dhe Flat High-Performance.

Krahas shërbimit për operatorët fiks të internetit satelitor, Starlink ofron edhe plane për ata që janë vazhdimisht në lëvizje në Shqipëri, kryesisht nomadët dixhital.

Plani Mobile kushton 10,000 lekë në muaj për brenda vendit dhe 20,000 lekë në muaj në çdo vend të botës. Ky shërbim funksionon në lëvizje me 16 km/h thotë Starlink.

Së fund është plani Mobile Priority i cili kushton 31,320 lekë në muaj për 50GB, 125,220 lekë në muaj për 1TB dhe 626,076 lekë në muaj për 5TB. Ky plan është i vlefshëm për tu përdor në çdo vend të botës.

Për tre planet e para Standard, Priority dhe Mobile Starlink rekomandon pajisjen Standard Actuated që kushton 42,500 lekë ndërsa për Priority Mobile pajisjen Flat High-Performance që kushton 340,000 lekë.

Kompania e Elon Musk synon të ketë 42 mijë satelitë në orbitën e Tokës për të ofruar konektivitet në tokë, ajër dhe det. Komisioni Federal i Komunikimit në SHBA ka aprovuar deri më sot 12 mijë ndërsa mbeten 30 mijë të tjerë për tu aprovuar.