Inteligjenca artificiale dhe sfidat në arsim

Shkruan: Avzi Mustafa

Në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar një sociolog i së ardhmes, Allvin Toffler, u paraqit me librin me titull “Shoku i Ardhmërisë”. Meqë ky libër ishte përkthyer në gjuhën kroate, e lexova me shumë vëmendje dhe erdha në përfundim se qëllimi i këtij futurologu ishte përgatitja e një shoqërie të re, ku do të dominonte një “revolucion super industrial”, një zhvillim i fazës “super industriale”, e cila do ta ndërrojë shoqërinë e vjetër. Kjo më ktheu në kohën e Manifakturës në Angli, kur në një fazë të zhvillimit ekonomik – gjatë periudhës para Revolucionit Industrial në shekullin e 18-të – sistemi i prodhimit të mallrave me dorë ose me mjete të thjeshta dhe përdorimi i makinave e zëvendësoi punën me dorë dhe këto makina ua “hëngrën kokën” shumë punëtorëve. Megjithatë, e ngushëlloja veten se me këtë revolucion teknologjik do të specializojë çdo punëtor, për ta kryer një pjesë të veçantë të procesit të ndonjë prodhimi në mënyrë cilësore dhe në kohë më të shpejtë.

Pas shumë vitesh, sot shohim se gjithçka që na intereson, çfarëdo informate, mund ta marrim vetëm për disa sekonda, t’i bëjmë detyrat matematikore, t’i japim karakteristikat e një heroi në një roman, të kërkojmë ndonjë ese për mësuesin, natyrën etj., qoftë në formë të shkruar apo gojarisht. 

Një prej faktorëve më të dukshëm që jemi mësuar ta zhvillojmë në mënyrë të planifikuar nëpërmjet të mësuarit në shkollë është duke e zhvilluar trurin. Truri i njeriut është qendra për zhvillimin e ndërgjegjes dhe inteligjencës si asnjë pjesë e organizmit të njeriut. Andaj edhe lind pyetja se, pas të gjitha këtyre lehtësirave që na vijnë si sihariq nga inteligjenca artificiale, a do të jetë më turi i njeriut me të vërtetë qendra e inteligjencës së njeriut, siç kemi ne bindjen tonë, apo do të humbet inteligjenca kreativiteti dhe ndjenjat, si monopol i njerëzve? Apo kjo do të kalojë në dorë të një grupi që do të ketë monopol dhe në bazë të algoritmeve të padukshme do ta drejtojnë jetën tonë të përditshme dhe do të ndikojë në shëndetin dhe funksionin tonë? Apo do të kalojmë në “Demencë digjitale”?

Inteligjenca artificiale është një fushë e gjerë dhe heterogjene. Duke ndjekur atë që shkruhet, si dhe duke i ndjekur paralajmërimet nga ekspertët e kësaj teknologjie, vërejmë se ajo kohëve të fundit po merr një zhvillim dhe përdorim të madh dhe në të derdhen po shuma të mëdha, 

Si duhet ta shikojmë të ardhmen? Për këtë problem kanë dhënë mendime shumë studiues. Njëri prej tyre është edhe Fukuyama, në veprën e tij të famshme “Post njeriu ynë dhe teknologjitë”, ku thotë se “teknologjitë që janë të afta të riformojnë atë që jemi” mund “të kenë pasoja malinje për demokracinë liberale dhe për vetë shoqërinë”. E thënë thjesht, teknologjitë që prekin “specifiken njerëzore” potencialisht mund të ngrejnë shqetësime legjitime për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ekzistencës njerëzore. Të paktën atë lloj ekzistence që ne si shoqëri jemi mësuar”.

Në fund të fundit, edhe mendja e njeriut, do të thotë Harari, është një objekt i formësuar nga historia dhe biologjia dhe, si e tillë, u nënshtrohet manipulimeve të ndryshme. “Kjo mund të na çojë në përfundimin se “produktet e mendjes” gjithashtu nuk janë të lira nga prangat e manipulimit. 

Por ka edhe të tillë, si Hawking-u, i cili thotë se ai “përfaqëson një rrezik real për vetë njeriun, ose më mirë se zhvillimi i tij do të çojë në zhvillimin e një “forme të re të jetës”.

Jam qenë më se i bindur se ndryshimet në botë i bëjnë krizat ekonomike, rënia dhe ngritja e fuqive të mëdha, ndryshimet klimatike dhe në njëfarë mase edhe teknologjitë. Por, shkenca nëpërmjet ose nën ndikimin e teknologjisë së përparuar, bëhet pjesëmarrëse në atë që Joseph Schumpeter-i, në punim të tij të vitit 1942, do të thotë se “me teknikën dhe teknologjinë, shoqëria do të jetë në një cikël të vazhdueshëm të ‘shpikjeve dhe rishpikjeve shkatërruese’, që do të jetë ‘lëndë djegëse’ të kapitalizmit bashkëkohor”. 

Sot po shohim se pothuajse çdo shkencë është e interesuar ose e “tërhequr” në këtë proces të “shkatërrimit të paqartë” të “ndërtimit të paqartë”. Ato pajtohen se teknologjitë e IA-së “përdorin aftësi të tilla – të zotëruara më parë vetëm nga njerëzit – si njohuri dhe perceptim, për të zgjidhur detyra të përcaktuara ngushtë (duke përdorur teknologjinë siç ekziston sot).

Sot, në shumë sfera, jemi dëshmitarë të kontributit të madh të teknologjive që lidhen me inteligjencën artificiale, të cilat i lehtësojnë dhe përshpejtojnë së tepërmi shumë aktivitete të përditshme, duke e ngritur cilësinë e jetës në një nivel më të lartë. Por, nga ana tjetër, është pikërisht rritja e shpejtë dhe mundësitë disi të pakufizuara të IA-së ato që i inkurajojnë jo vetëm shkencëtarët dhe ekspertët, por edhe filozofët, humanistët, shkrimtarët dhe regjisorët e filmit të imagjinojnë se si zhvillimi dhe bashkëpunimi i njeriut dhe i makinës mund t’i shërbejë njerëzimit. Por, ata shpesh parashikojnë gjërat më të errëta në botë, të cilat mund t’i shkatërrojnë skenat apokaliptike njerëzore.

Tani, kur jemi përballë ndryshimit të paradigmave të jetës njerëzore, shkolla nuk mund të qëndrojë mënjanë, por thirret të japë dëshminë e saj të besimit, shpresës dhe dashurisë, duke shpallur trurin e njeriut në gjumë.

Në këtë punim, ne i përshkruajmë disa nga skenarët për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e udhëzimeve etike për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces, si dhe mënyrën se si mësimet në shkollë t’u përgjigjen sfidave etike që i paraqet njerëzimit nga inteligjenca artificiale. Është shkruar se inteligjenca artificiale përfshin një gamë të tërë fushash, nga perceptimi dhe arsyetimi logjik, e deri te detyrat specifike të vërtetimit të teoremave matematikore. Duke vepruar kështu, ata duket se duan ta eliminojnë rrezikun real të teknikës së njeriut, në vend që teknologjia të humanizohet. Pikërisht në kushte të tilla zhvillohet debati për raportin e “inteligjencës artificiale” dhe trurit biologjik. 

Kështu, edhe sot, përballë sfidave të reja të inovacioneve shkencore dhe teknologjike, shkolla, përveçse kujton se inovacioni digjital dhe përparimi teknologjik duhet të kontribuojnë në gjitha sferat e jetës shoqërore, ky inovacion gjen zbatim dhe përdorim me të madh në sferat e marketingut dhe ekonomisë. Në një mënyrë, shkencat ekonomike si duket kërkojnë njëfarë autonomie dhe shkëputje nga politika, e sidomos nga etika. 

Zhvillimi i shpejtë i kësaj teknologjie pa bërë analiza se si mund të ndikojë ajo së pari në zhvillimin e shoqërisë, po bëhet gjithnjë më i egër, pa humanizëm e pa kontakte ndërmjet reale mes njerëzve. Sot komunikimi është shndërruar në pëlqime (Like), duke numëruar sa “fansa” janë regjistruar, me të cilët kurrë nuk ke pirë kafe nuk e ia di as edhe fytyrën. Çfarë ke mësuar na ai? Çfarë do mbetet në shpirtin tonë dhe çfarë ndjenjash do të posedojmë? Jemi dëshmitarë se platformat digjitale tëra i prangosin fëmijët të qëndrojnë me orë të tëra para kompjuterëve e celulareve.

Tani nxënësi duhet të mësojë ta zhvillojë personalitetin e vet duke e zbuluar atë që shkenca ia ka zbuluar, duke kërkuar metodat e metodologjitë e strategjitë sesa më shumë të dijë, të ngjallë interes për të hyrë në botën e fshehtësive, për ta zhvilluar imagjinatën, për të komunikuar, për të krijuar miq, për ta zhvilluar humanizmin, për t’i përjetuar gjerat, për t’u gëzuar etj. 

Unë nuk jam kundër që edhe IA të mund të përdoret si një mjet didaktik në procesin mësimor aty ku e kërkon nevoja, por jo të zëvendësojë gjithçka dhe të jesh i varur nga kjo. Tani shihet se IA po ecë me hapa shumë të mëdhenj, ku shihet qartë një zhvillim i madh ndërmjet të mësuarit logjik dhe inteligjencës artificale. 

Nëse këto dy lloje të mësuarit nuk zhvillohen paralelisht, ajo do të duket ashtu siç e ka thënë Platoni, për të cilin e vërteta do ishte si një “fushë” drejt së cilës skuadra e shpirtit lëviz me dy kuaj, nga të cilët njëri është i vdekshëm dhe tjetri i pavdekshëm, njëri përfaqëson shqisat tona dhe tjetri mendjen, kështu që sapo të mbërrijnë në atë “fushë të së njëjtës”, ata fillojnë të zbulojnë peizazhe të reja (Platoni, Phedrus). 

Njerëzit kanë aftësi për të mësuar nga neuronet që gjenden në trurin tonë, të cilat janë të programuara. Për shembull, për t’i njohur fytyrat, duke i parë ato nga këndvështrime të ndryshme gjatë një periudhe kjo zgjidhet ekskluzivisht nga njerëzit. Teknologjia e IA-së përdoret për t’i ndihmuar njerëzit të zgjidhin detyrat më shpejt dhe në mënyrë më efikase dhe për këtë arsye konsiderohet një mundësi për përmirësim dhe rritje të efikasitetit, por atë e bën nëpërmjet algoritmeve. Kjo do të thotë se njeriu duhet të udhëhiqet sipas tyre, pra ai duhet t’u bindet udhëzimeve se kah duhet të shkojë.

Sidoqoftë, inteligjenca artificiale i ka zënë të gjitha sferat e jetës dhe me ritme shumë të shpejta. Por, në sferën e arsimit kjo dukuri teknologjike shikohet me një dozë të madhe të shqetësimit. Ja disa nga arsyet e kësaj: 

– IA do të na shpijë në varësi teknologjike dhe do të ndikojë në reduktimin dhe motivimin e nxënësve për të menduar në mënyrë të pavarur dhe kritike;

– Është e ditur se nxënësit shumë shpejt i përvetësojnë risitë teknologjinë kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave, andaj pa humbur kohë do t’i referohen inteligjencës artificiale;

– Me këtë teknologji gjithsesi do të humbet përqendrimi, vëmendja dhe kreativiteti;

– IA e ul aftësinë e të kuptuarit dhe të shkruarit;

– Nuk ka nocione të njëjta me atë që mësojnë në shkollë nga librat me nocionet që i përdor inteligjenca artificiale (p.sh.; për shkronjat e gjuhës shqipe, që nxënësit i kanë mësuar si terma alfabeti, tani do të përdorin si bashkësi me një simbol X);

– Do të kemi një mbivlerësim të atyre që e përdorin këtë teknologji nga ata që janë origjinalë, që mendojnë vet;

– Do ketë ngecje në debat në mes atyre që kanë mësuar nga librat dhe atyre që kanë gjetur material për veprimtari aktive dhe zgjedhje situatash problemore. 

– Shtrohet pyetja se a janë të vërteta informacionet që janë marrë nga inteligjenca artificiale?;

– Personalizmi: mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë për një mësues të kuptojë se si t’i përmbushë nevojat e të gjithë nxënësve në klasë;

– Përdorimi i IA-së shpreh mungesën e kontaktit empatik;

Privatësia dhe siguria e të dhënave: të dhënat personale të nxënësve, hyrja tek informacioni, autorësia janë të pambrojtra. 

Përdorimi edukativ i inteligjencës artificiale është një temë që na shqetëson, andaj me të drejtë Chiara Panciroli, profesoreshë në Departamentin e Shkencave të Edukimit të Universitetit të Bolonjës do të shprehet se: “Ajo prek edhe mësuesit, stafin administrativ, drejtuesit, familjet: të gjithë aktorët e sistemit shkollor”.

Tani ia parashtroj vetes një pyetje retorike: a thua vallë si u arrit në civilizimin egjiptian gjithë ajo trashëgimi kulturore? Për këtë temë është zbuluar dhe është shkruar nga shkencëtarë të ndryshëm, ndërsa çdo ditë po zbulohen edhe gjëra të reja. Ja si do të jetë përgjigja sipas një legjende mitike egjiptiane: kur perëndia egjiptian Thoth e zbuloi artin e të shkruarit, ai ia prezantoi me gëzim të madh atë mbretit Thamus, duke pretenduar se shkrimi do t’i bënte njerëzit më të mençur dhe do të përmirësonte kujtesën e tyre. Megjithatë, Thamusi nuk u pajtua dhe tha se të shkruarit në fakt do ta dobësojë kujtesën, pasi njerëzit do të mbështeteshin në të dhënat e shkruara në vend që ta ushtronin mendjen e tyre. Në vend të urtësisë së vërtetë, njerëzit do të kenë vetëm një dukje njohurie, pasi ata do ta mbajnë mend informacionin, por nuk do ta kuptojnë ose nuk do ta përvetësojnë plotësisht atë.