Institucioni i Avokatit të Popullit në krizë, qytetarët pa mbrojtje, pas festave përballet me pasiguri
Nëse nuk zgjidhet Avokati, praktikisht qytetarët prej vitit të ardhshëm mund të mos kenë një derë ku mund të trokasin nëse u shkelen të drejtat dhe liritë e tyre nga institucione të ndryshme shtetërore, raporton Alsat.
Alsat sot vizitoi punonjësit të cilët në rrethana të jashtëzakonshme trajtojnë lëndët e qytetarëve, por sipas tyre, është ironike që të mbrojnë të drejtat e të tjerëve, derisa nuk kanë vetë të drejta.
“Veçanërisht prej vitit 2026-të do të jemi të vdekur. Në vdekje klinike. Pasi as do të ketë dikush autorizim të nënshkruajë diçka. Motivimi i punëtorëve është në nivel shumë të ulët me atë që, ne luftojmë për të drejtat e njeriut, madje edhe për të drejtat e të punësuarve në institucione tjera, të cilat ne nuk i kemi dhe nuk mundemi t’i realizojmë. Ndërsa për ne, nuk ka kush të luftojë. Realisht, ne nuk kemi ku të ankohemi, përveç të ngritin procedurë në Gjykatë”, tha Marjan Ponjaviç, Këshilltar Shtetëror në Zyrën e Avokatit të Popullit.
Kolegia e Marjanit, Albina Ismaili tanimë 13 vite punon në këtë institucion, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Aktualisht, ajo vepron në lëndët që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave për pensione, por edhe sigurime dhe mbrojtje shëndetësore.
Ismaili thotë që deri tani për shkak të arsyeve morale u janë përgjigjur kërkesave të qytetarëve, kanoset që institucioni të bie në kolaps total, madje dhe të ngelet në rrugë.
“Me keqardhje mund të ju njoftoj se për herë të parë në historinë e institucionit tonë që ka histori 25 vjeçare, ndodh që të kemi probleme serioze në funksionimin e përditshëm. Qytetarët i vuajnë pasojat për shkak të bllokadës që veçmë e dhatë edhe ju si medium. Avokati i Popullit për fat të keq edhe pse është i vetmi institucion për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Me përvojën e tij 25-vjeçare nuk ka arritur që të marrë objektin e vet nga shteti. Ne jemi qiradhënës në këtë objekt dhe paguajmë qira mujore”, u shpreh Albina Ismaili, Këshilltare Shtetërore në Zyrën për Avokatin e Popullit.
I autorizuari Avokati i Popullit Ylber Rufati, mbrëmë në intervistën për Alsat përsëriti apelin për të zgjedhur Avokat të Popullit ose në të kundërtën kërkoi nga kryetari Afrim Gashi që të vazhdojë autorizimin edhe për vitin 2026.
Më 25 dhjetor, pas disa apeleve ndaj Parlamentit për zgjedhjen e një Avokati të Popullit, punonjësit e këtij institucioni iu drejtuan mediave, duke kërkuar që Parlamenti të bëjë punën e tyre dhe të zgjedh një Avokat të Popullit, i cili do të nënshkruajë llogarinë përfundimtare dhe do të sigurojë funksionimin e institucionit, pagat për punonjësit, qiranë, dhe shërbimet.
Përndryshe, në një intervistë për Portalb.mk, zëvendës Avokati i Popullit, Ylber Rufati, sqaroi se institucioni vazhdon të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore pa ndërprerje, duke u mbështetur në profesionalizmin e stafit dhe në koordinimin e brendshëm. Megjithatë, ai pranon se mungesa e kryesuesit ndikon në peshën e përfaqësimit institucional dhe në adresimin publik të çështjeve madhore, duke theksuar nevojën që Kuvendi të përmbyllë sa më shpejt procedurën ligjore për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
- LEXO: Avokati i Popullit pa kryesues, zëvendësi Ylber Rufati: Mungesa e kreut ndikon në përfaqësimin e plotë institucional
- LEXO: RMV, funksioni i Avokatit të Popullit duhet të mbetet jashtë marrëveshjeve partiake
- LEXO: Faton Selami është konfirmuar si propozim për Avokat të ri të Popullit në RMV
- LEXO: Punonjësit e revoltuar: Avokati i Popullit drejt shuarjes, Kuvendi nuk e përzgjedh kreun e ri