Inspektorët e mjedisit jetësor po japin dorëheqje, leje për punësime të reja nuk ka

Edhe një inspektor i ekonomisë së ujërave është larguar nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (ISHMJ), por ky institucion ende nuk po merr dritë jeshile për të punësuar inspektorë të rinj. Drejtori Sreten Stojkovski sot informoi edhe se ISHMJ për këtë vit ka buxhet më të vogël, kështu që do të dështojnë edhe planet për blerjen e dy automjeteve fuoristradë, transmeton Portalb.mk.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (ISHMJ) aktualisht ka 29 punonjës, nga 53 sa duhet të ketë gjithsej sipas sistematizimit të vendeve të punës. 24 prej tyre janë inspektorë, ndërkohë që duhet të jenë 38. Stojkovski thotë se në gjysmën e dytë të vitit të kaluar nuk ka pasur punësime të reja, por përkundrazi, një inspektor i ekonomisë së ujërave është larguar, ndërsa një tjetër muajin e kaluar ka dhënë dorëheqje dhe ka shkuar në punë në sektorin real për pagë më të lartë.

“Plani vjetor për punësime, me të cilin ishte parashikuar punësim i dy inspektorëve dhe tre administratorëve, nuk u pranua nga Ministria e Financave. E korrigjuam dhe dorëzuam një të ri, për punësimin e tre inspektorëve, dy për mjedisin jetësor dhe një për ekonominë e ujërave. Ne ende jemi në pritje sepse procedura është në pritje për miratim në MSHIA”, thotë Stojkovski.

Ai thekson se problematike është edhe struktura sipas moshës e pjesës tjetër të punonjësve në inspektorat, pasi 14 inspektorë nga të tre profilet janë në moshë mbi 57 vjet. Aktualisht është duke u zhvilluar edhe procedura për marrjen e inspektorit komunal për mjedisin jetësor, për të cilën pritet pëlqim nga Ministria e Financave, por kjo gjë do të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve.

Stojkovski informoi edhe se në krahasim me vitin 2023 buxheti i institucionit për vitin 2024 është zvogëluar për 600.000 denarë. Në të ishte planifikuar blerja e dy fuoristradave, por edhe ajo blerje nuk u është miratuar. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor është një inspektorat përgjegjës për kontrollimin e objekteve që ndodhen në terrene malore dhe të paarritshme, si p.sh. hidrocentralet e vogla. Për t’i kryer këto kontrolle, inspektorët huazojnë automjete nga vetë investitorët e objekteve, prandaj kontrollet gjithmonë duhet të bëhen me njoftim.

Kujtojmë se, ky inspektorat tashmë një kohë të gjatë po funksionon me mungesë të konsiderueshme të inspektorëve. Komunat në Maqedoninë e Veriut kanë të punësuar vetëm nga një inspektor mjedisor, i cili duhet të kontrollojë tërë komunën, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Mjedisit punon me gjysmë kapaciteti nga viti 2022 me gjithsej 24 inspektorë në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.