Idealizma urbane: Slow City (II)

Cittaslow, që targeton ruajtjen e teksturës natyrore dhe origjinale të qytetit, është ngushtësisht e lidhur me filozofinë e slow food (ushqimi i ngadalshëm), me qasjen e saj të re ndaj prodhimit bujqësor, mirëqenies mjedisore dhe konceptit të jetesës së mirë, të pastër dhe të drejtë. (Blackshaw, 2008) Stefano Cimicch, presidenti i parë i lëvizjes, thotë se lëvizja slow city synon “krijimin e qyteteve të banueshme” (livable cities). Agjenda e kësaj platforme përfshin përmirësimin e cilësisë së jetës përmes një jete të ngadaltë, reduktimin e të kulturës materiale dhe minimimizimin e dëmit ndaj mjedisit.  (Özbek & Erikçi, 2014)

Që një njësi urbane të marrë epitetin qytet i ngadalshëm, ajo duhet të marrë një notë kaluese në këtë vlerësim. Shtatë kriteret që lidhen me aspekte të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm konform frymës cittaslow janë si më poshtë vijon:

  • Politikat Mjedisore:  Pastërtia e ajrit dhe ujit; Ndarja dhe mbledhja e mbeturinave të ngurta; Shkalla e konsumit të ujit të pijshëm; Përdorimi i burimeve të rinovueshme si energjia diellore; Reduktimi i ndotjes vizuale dhe të dritës; Ruajtja dhe promovimi i biodiversitetit.
  • Politikat e Infrastrukturës:  Korsi të bollshme dhe zona parkimi për biçikleta; Planifikimi i transportit alternativ dhe miqësor me mjedisin; Arkitektura për personat me aftësi të kufizuara; Akses në shërbimet shëndetësore.
  • Politikat për Cilësinë e Jetës Urbane: Përmirësimi i vlerave të qytetit; Hapësira të gjelbra me bimë prodhuese dhe pemë frutore; Përdorimi i shërbimeve interaktive dhe teknologjive të komunikimit; Arkitekturë e qëndrueshme; Sasia minimale e betonit e përdorur në hapësirat e gjelbra.
  • Politikat për Bujqësi, Turizëm, Tregtarë dhe Artizanë: Mbrojtja e produkteve artizanale të bëra me dorë, të brenduara; Rritja e vlerës së zonave rurale duke lehtësuar aksesin në shërbime; Mbrojtja e ngjarjeve/eventeve lokale;  Zhvillimi i agroekologjisë dhe bujqësisë ekologjike.
  • Planet për Mikpritje, Ndërgjegjësim dhe Edukim: Rritja e ndërgjegjësimit të tregtarëve dhe operatorëve; Rrugë të ngadalta (slow routes); Trajnimi i edukatorëve dhe menaxherëve mbi filozofinë cittaslow; Trajnime për shëndetin; Mbështetje për fushatat dhe aktivitetet cittaslow.
  • Kohezioni Social:  Lufta kundër diskriminimit; Integrimi i individëve me aftësi të kufizuara; Punësimi i grupmoshave të reja; Situata e varfërisë dhe mbështetja sociale.
  • Partneriteteti: Mbështetja e aktiviteteve të ushqimeve të ngadalta; Përdorimi i ushqimeve tradicionale së bashku me ushqimet e ngadalta; Bashkëpunimi për përhapjen e filozofive cittaslow dhe slow food (greenpetition.com)

Në thelb, këto politika synojnë që qytetet të ruajnë identitetin e tyre lokal, të përmirësojnë cilësinë e jetës, të jenë miqësore me mjedisin dhe të promovojnë frymën  dhe traditat lokale. Qyteti i ngadalshëm, me dy fjalë do të thotë: rezistim ndaj standardizimit/skematizimit të globalizimit. Apo: tendencë për ta kthyer qytetin më afër fshatit, për t’ia kthyer atij organicitetin e humbur përkundër teknikalitetit dhe teknologjisë. Nga vendet e afërta, në Turqi në këtë kategori bëjnë pjesë Finike, Uzundere dhe Akyaka, në Kroaci: Makarska, Bale Valle dhe Samobor. Asnjë qytet tjetër ballkanik, pos syresh 28 turke dhe 3 kroate të përmendura nuk ka marrë certifikatën e këtij asociacioni qytetesh. Në Maqedoni në këtë kategori mund të hynte Ohri që është shpallur trashëgimi nën mbrojtje nga UNESCO, ndoshta edhe Krusheva, në Shqipëri, ku është shumë trendy agroturizimi, kandidate mund të jenë Berati e Gjirokastra, si qytete me vlera kulturore, mjedisore dhe turistike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.