Sali: VLEN-i do të udhëheq me gjashtë ministri pas rikonstruimit qeveritar
Partneri i koalicionit VLEN do të udhëheqë me gjashtë ministri pas rikonstruimit qeveritar, kumtoi sot zëvendëskryeministri i parë, ministër për Çështje Evropiane dhe sekretar i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali, njofton Portalb.mk.
Ai deklaroi se kuadrove të VLEN-it do t’u takojnë ministritë e Mjedisit Jetësor, e Ekonomisë, e Drejtësisë, e Eurointegrimeve, e Kulturës dhe për Marrëdhënie midis Bashkësive.
“Në pakon me të cilin VLEN vazhdon me qeverisje, si pjesë e shumicës parlamentare, mbetet Ministria e Ambientit Jetësor, Ministria e Ekonomisë, Drejtësisë, e Eurointegrimeve, Kulturës dhe Ministria e Marrëdhënieve midis Bashkësive, pra janë 6 ministri. Ende nuk kemi emra final për Drejtësinë dhe Kulturën, do të jenë dy emra të rinj. Nga ministrat aktual jemi të kënaqur si parti dhe do të vazhdojnë tutje. Shëndetësia nuk është pjesë e pakos”, theksoi Sali duke iu përgjigjur në pyetje të gazetarëve me rastin e ngjarjes me të cilën VLEN-i shënoi dyvjetorin si pjesë e koalicionit qeveritar.
Derisa e marrin Ministrinë e Marrëdhënieve midis Bashkësive të cilën momentalisht e udhëheq Ivan Stoillkoviq, Drejtësinë dhe Kulturën, VLEN-i e humb Shëndetësinë dhe pozitën e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, të cilët deri tani udhëhiqeshin nga Azir Aliu dhe Arben Fetai, ndërsa supozohet edhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
Sali tha se derisa zgjasin negociatat do të ketë tema të hapura, por që do të qëndrojnë pas këtyre ministrive.
“Derisa zgjasin bisedimet gjithsesi është që të kemi tema të hapura, megjithatë këtë pjesë që e thash, qëndrojmë pas asaj. Beton do të jenë kur t’i dëgjoni gjatë prezantimit, megjithatë betoni ynë është këtë që e themi”, shtoi ai.
Lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski dje tha se pas rikonstruimit qeveritar, partia e tij do të jetë më e fuqishme lidhur me kuadrot dhe me potencialin dhe në dispozicion të drejtëpërdrejtë implementimin e pushtetit në ministrit resore dhe eshalonët më të ulët të pushtetit.
- LEXO: Dimitrievski foli për rikonstruktimin e Qeverisë dhe ZNAM-in, të martën pret përfundimin e negociatave
- LEXO: Bisedimet mbi ristrukturimin e Qeverisë së RMV-së janë në fazën fillestare, detaje pasi të arrihen marrëveshjet
- LEXO: Mickoski: Pas 17 qershorit, do të diskutojmë rikonstruimin e qeverisë me partnerët e koalicionit