Ibrahimoviç u tërhoq nga futbolli

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, legjenda e futbollit suedez, u tërhoq nga futbolli në moshën 41-vjeçare të dielën në mbrëmje, raporton Anadolu.

“Është koha për t’i thënë lamtumirë futbollit, por jo juve”, u shpreh Ibrahimoviç i mbërthyer nga emocionet para turmës në San Siro në Milano pas ndeshjes së fundit të sezonit të së dielës të cilën Milani fitoi 3:1 ndaj Hellas Verona. Ibrahimoviç tha se ishte “e vështirë dhe emocionale” për t’i dhënë lamtumirën AC Milanit, ku ai kishte “kaq shumë kujtime”.

“Herën e parë që erdha (në AC Milan) më dhatë lumturi, herën e dytë më dhuruat dashuri”, tha Ibrahimoviç, duke shtuar se ai ndihej si në shtëpinë e tij ndërsa luante për kuqezinjtë në dy periudha. “Do të shihemi sërish. Forza Milan dhe lamtumirë”, tha Ibrahimoviç, duke falënderuar lojtarët, trajnerin dhe stafin, si dhe mbështetësit.

Ibrahimoviç ka luajtur për nëntë klube, përfshirë Paris Saint-Germain (PSG), Juventus, AC Milan, Inter Milan, Manchester United dhe Barcelona ndërsa ka shënuar 496 gola në 827 ndeshje.

Sulmuesi me përvojë me PSG shënoi 156 gola në periudhën 2012-2016, që ishte periudha e tij më e frytshme e golave. Ai shënoi 62 gola në 122 paraqitje për Suedinë për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kombëtaren e tij.

Ibrahimoviç luajti për AC Milanin në 2010-2012 dhe në 2020-2023 për të ndihmuar kuqezinjtë të fitojnë titullin e Serie A italiane dy herë në 2011 dhe 2022. Përveç kësaj, ai fitoi tituj me klubin italian Inter, klubin spanjoll Barcelona, klubin francez PSG dhe atë holandez Ajax.

Ai ishte sulmues i Manchester Unitedit kur gjiganti anglez fitoi Liga Evropën në vitin 2017.