“Asnjë më shumë” sot përsëri me marsh protestues në Shkup kundër vrasjes dhe dhunës ndaj grave
Sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në Shkup do të mbahet marsh protestues kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave. Marshi do të nisë në orën 17:00 nga parku “Gruaja Luftëtare” dhe do të përfundojë para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.
Iniciativa joformale “Asnjë më shumë” bën thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale, mbrojtje në kohë dhe drejtësi gjyqësore për të gjitha gratë që kanë përjetuar dhunë dhe për ato që kanë humbur jetën si pasojë e saj.
Në thirrjen për protestë, iniciativa kritikon institucionet për mosveprim, duke theksuar se rastet e dhunës ndaj grave nuk duhet të mbeten në sirtarët e institucioneve dhe se çdo vrasje e re nuk duhet të pasohet vetëm nga reagime disaditëshe publike dhe më pas nga heshtja institucionale.
“Kur institucionet janë të shurdhra, le t’i detyrojmë të na dëgjojnë!”, thuhet në thirrjen për protestë.
Në përfundim të marshit, aktivistet do të zhvillojnë një aksion performativ. Pjesëmarrësit ftohen të marrin me vete nga një grusht dheu, i cili mund të merret nga një kantier ndërtimi, oborri, saksi apo mali.
“Vendi ynë duhet të ketë vetëm një gjë – të jetë i drejtë!”, thuhet në thirrjen e iniciativës.
“Nuk do të heshtim!” është mesazhi përmbyllës i thirrjes për marshin protestues, i cili do të mbahet sot në orën 17:00 në parkun “Gruaja Luftëtare” në Shkup.
Kujtojmë se edhe më 20 nëntor, me mesazhe për drejtësi, mbrojtje dhe përgjegjësi të menjëhershme institucionale, aktivistet dhe qytetarët protestuan para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke reaguar ndaj serisë së vrasjeve të grave dhe dështimeve të institucioneve përgjegjëse në trajtimin e dhunës ndaj grave.
Edhe më 8 nëntor u mbajt marsh protestues kundër femicidit.