Humbi jetën një person në rrugën Ohër – Kërçovë, vetura iu përfshi në flakë pas përplasjes me qenë dhe barriera metalike
Një person, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmë vonë në rrugën magjistrale Ohër–Kërçovë, njoftoi Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Ohër, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve, mbrëmë në orën 23:30 në SPB Ohër është raportuar se në rrugën magjistrale një automjet i tipit “Hyundai Getz”, me targa të Ohrit, fillimisht është përplasur me qen endacakë dhe më pas me barriera metalike të rrugës, pas së cilës është përfshirë nga zjarri.
Zjarri është shuar nga ekipet e Njësisë Territoriale të Zjarrfiklësve (NJTZ) Ohër, të cilat brenda automjetit kanë gjetur trupin e shoferit të ndjerë.
“Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dorëzuar në Mjekësinë Ligjore për obduksion dhe për përcaktimin e identitetit të personit”, thonë nga SPB Ohër.
Prokurori publik dhe një ekip i SPB Ohër kanë kryer ekspertizë në vendin e aksidentit, gjatë së cilës komunikacioni në rrugën magjistrale është devijuar përmes rrugës rajonale Ohër–Strugë.