Hetim kundër dy vëllezërve për tentativë vrasjeje në një fshat të Shkupit
Prokuroria Themelore Publike në Shkup lëshoi urdhër për zhvillimin e hetimit kundër dy personave, vëllezërve të moshës 43 dhe 44 vjeç, me dyshim të arsyeshëm se tentuan të kryenin vrasje si bashkëpunëtorë. Ata akuzohen për veprën penale të vrasjes sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 3 në lidhje me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve nga prokuroria, incidenti ndodhi më 6 qershor, pranë një parkingu në fshatin Shishevë të Shkupit. Dy vëllezërit me paramendim tentuan t’i merrnin jetën një personi, duke rrezikuar jetën e dy personave të tjerë që ishin të pranishëm.
Rasti ndodhi pas një incidenti trafiku që kishte ndodhur paraprakisht. Vëllai i të dëmtuarit dhe i dyshuari i parë kaluan njëri-tjetrin në automjetet e tyre, duke shkaktuar kontakt midis retrovizorëve. Pas kësaj, filloi një grindje verbale në të cilën i dyshuari kapi shoferin tjetër për qafe dhe bëri kërcënime serioze. Dy dëshmitarë arritën ta qetësonin situatën, por konflikti nuk mbaroi këtu.
Viktima më pas e mori gruan e tij nga puna dhe e thirri vëllain e tij për të kontrolluar së bashku nëse rruga ishte e sigurt për t’u kthyer. Megjithatë, pranë vendit ku kishte ndodhur incidenti i parë, dy vëllezërit e dyshuar, të armatosur me armë, tashmë i prisnin të fshehur në shkurre.
I dyshuari i parë qëlloi dy plumba, njëri prej të cilëve goditi vëllain e shoferit të sulmuar fillimisht në kokë, duke i shkaktuar një dëmtim tangjencial, ndërsa të shtënat kërcënuan drejtpërdrejt dy personat e tjerë.
“Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik ikjeje, rrethana të veçanta që tregojnë se ata do të pengojnë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët dhe rrethana të veçanta që justifikojnë frikën se ata do të përfundojnë krimin e nisur, prokurori publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për të përcaktuar masë paraburgimi për dy bashkëpunëtorët e dyshuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.